INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Llalla kërkon t'i shmanget  Vetingut: S'dua të jem gjyqtar

Llalla kërkon t'i shmanget Vetingut: S'dua të jem gjyqtar

Publikuar më: 17:53 10-02-2018

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është dorëhequr nga e drejta për të qenë gjyqtar i Gjykatës së Apelit, të drejtë të cilën ia njeh ligji për t'u rikthyer në detyrën që ka mbajtur më parë. Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se Llalla, përmes një kërkese drejtuar organeve të Vettingut, ka njoftuar dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, ndërsa nuk janë të qarta motivet e këtij vendimi.

Ish-kryeprokurori tha i kontaktuar nga Report Tv se ka depozituar një kërkesë për të mos qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. "Kam depozituar një kërkesë për të mos qenë gjyqtar i Apelit", ka thënë Llalla për Report Tv. Tërheqja nga sistemi bën që procesi i Vettingut ndaj Llallës, i nisur një vit më parë kur mbante detyrën e Kryeprokurorit, të ndërpritet, por për këtë çështje do vendosë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nëse Llalla do i shpëtojë apo jo verifikimit të pasurisë dhe integritetit profesional. Llalla bën pjesë në listën prej 56 personave që po kalon në filtrin e Vettingut, por megjithatë ende nuk dihen rezultatet e këtij verifikimi.

Rasti i Llallës është i dyti në sistemin e drejtësisë, pasi pak ditë më parë ishte anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeri i cili dha dorëheqje nga funksioni. Edhe për të, interpretimet nëse i shpëton apo jo Vettingut me këtë dorëheqje, janë të ndara dhe do të jetë KPK që do vendosë për këto dy raste unike deri tani.

Adriatik Llalla është akuzuar publikisht pak kohë më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë si Prokurori që refuzoi të hetojë politikanët e korruptuar. Akuza në drejtim të Llallës ka pasur edhe nga maxhoranca për "kyçjen" e disa dosjeve të krimit dhe korrupsionit në vend. Mandati i tij si Kryeprokuror përfundoi në datën 7 dhjetor 2017, ndërsa në 18 dhjetor Kuvendi zgjodhi si pasuese të Llallës, por me mandat të përkohshëm, ish-prokuroren e Shkodrës, Arta Marku.

Article Logic
Execution time: 0.0026481151580811