INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mbërrin në Gjirokastër trupi i Kacifas, nesër varrimi

Mbërrin në Gjirokastër trupi i Kacifas, nesër varrimi

Publikuar më: 09:45 07-11-2018

Pas 11 ditësh që është mbajtur në morgun e QSUT-së, trupi i pajetë i minoritarit grek, Konstandinos Kacifas është kthyer në Bularat të Gjirokastrës. Është mësuar se funerali i tij do të kryhet nesër në orën 11:00, pas kryerjes së një meshë në nder të tij. Kostandinos Kacifas u ekzekutua nga forcat RENEA më 28 tetor, pas një shkëmbimi zjarri pikërisht në ditën Kombëtare të Greqisë, ku në Bularatë ishin mbledhur personalitete të rëndësishme greke.

Trupi i pajetë prej 11 ditësh ndodhej në morgun e Tiranës pas kërkesës së familjarëve për një ekspertizë mjeko-ligjore më të besueshme në kryeqytet.

Ndërkohë, përgjatë këtyre ditëve kanë folur shumë zyrtarë grekë dhe shqiptarë për vrasjen e tij. I fundit zyrtar grek që është shprehur për ngjarjen është ish-ministri i Arsimit dhe deputet i SYRIZA, Nikos Filis, i cili është shprehur se Bularati nuk është Vorio Epir por Shqipëria e Jugut. “Duam ne bazuar në një incident fatkeq të shpallim “luftën grekoshqiptare”?. Nuk lejohet një njeri të shkojë me kallashnikov në një vend të huaj, të ngrejë flamurin grek dhe të qëllojë. Aty është Shqipëria Jugore. E përsëris me shumë kujdes këtë. Jo Vorio Epiri, Shqipëria e Jugut. Janë territore shqiptare në sovranitetin shqiptar, ku ndodheshin shumë dikur, pak tani, minoriteti grek. Imagjinoni një turk të qëllojë me kallashnikov policët grekë në Trakë dhe të ngrejë flamurin turk? Çfarë do thoshim në atë rast?”, ka theksuar deputeti i SYRIZA.

Article Logic
Execution time: 0.0034210681915283