INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Llullaku, nga arratisja me gomone në Itali tek ëndrra kuqezi

Llullaku, nga arratisja me gomone në Itali tek ëndrra kuqezi

Publikuar më: 08:35 21-10-2016

Azdren Llullaku si shumë shqiptarë të tjerë ka në historinë e jetës së tij pjesë të pandarë emigrimin. Në moshën 12­vjeçare ai bashkë me familjen u larguan nga lufta në Kosovë dhe udhëtuan me gomone si emigrantë drejt Barit në Itali. Prej 15 vjetësh familja e Llullakut jeton në Tarzo të Italisë, një provincë në veri pranë Trevizos, ndërsa futbollisti vazhdon karrierën e tij në Rumani.

Një media lokale e Trevizos i ka kushtuar vëmendje mesfushorit të kombëtares shqiptare dhe historisë së tij, duke qenë se ai mund të jetë një nga ata që do të zbresin në fushë ndaj Italisë më 24 mars 2017 në takimin e vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”.

“Ëndërroj të jem në fushë atë ditë dhe gjithashtu që një ditë të kthehem të luaj në Itali, duke qënë se jam në fundin e kontratës”, është shprehur Llullaku. “Në vitin 2000 erdha në Bari me gomone, më pas jetova 10 muaj në Gjermani te një i afërm, por duke qenë se bashkë me familjen ishim të regjistruar si refugjatë lufte, na kthyen në Itali dhe na caktuan të jetonim në Tarzo. Talentin tim në futboll e vunë re ekipet lokale të zonës duke më parë teksa luaja kalçeto, dhe aty filloi karriera ime”, shtoi mesfushori.

“E gjeta në internet dhe e thirra për herë të parë në 2013 në ndeshjen ndaj Norvegjisë. Më pas humbi për një kohë deri në fillimin e këtij sezoni që po shpërthen në Rumani me 8 gola në 6 ndeshje dhe e aktivizova ndaj Lihtenshtejnit. Është një lojtar shumë punëtor dhe i përshtatet krahëve në skemat 4­4­2 dhe 4­3­3. Ka karakteristikat e një njeriu që punon për grupin, siç më pëlqen mua. Me cilësitë që ka mund të luajë pa problem në Serinë B”, thotë trajneri De Biazi për “La tribuna di Treviso”.

Article Logic
Execution time: 0.0044310092926025