Shpesh herë thuhet se sporti është ai që bashkon popujt, por është bërë e udhës tashmë që politika të përzihet me sportin. Një gjest jo i mirë është parë sot në Lojërat Olimpike të Rios, në sportin e xhudos. Xhudisti egjiptian Islam El Shehaby u vërshëllye në mënyrë tepër të zhurmshme gjatë Lojërave Olimpike të Rio de Janeiros, pas humbjes në raundin e parë kundrejt rivalit të tij izraelit, Or Sasson. Vërshëllimat në fakt nuk erdhën si pasojë e ndeshjes, por sepse El Shehaby refuzoi të shtrëngonte duart me Sassonin, duke shkelur kështu kodin etik të sportit të xhudos. Ndërkohë pas sfidës, kur u pyet nga gazetarët, El Shehaby refuzoi të komentonte.