Duke nisur nga viti 2020 të gjithë ata që aplikojnë për Lotarinë Amerikane duhet të dinë të tjera detaje në mënyrë që të kenë sa më shumë shanse që të përzgjidhen për të prekur ëndrrën amerikane.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka bërë një tjetër njoftim në rrjetin social facebook duke u shprehur se të gjithë aplikuesit duhet të dinë kriteret e arsimimit.
"Lotaria Amerikane 2020? Kontrolloni këtu se cili arsim kualifikohet për Lotarinë: https://bit.ly/2l7myjg #PyetAnen", shkruan ambasana.
"Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është i barasvlefshëm me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4 vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm). Diplomat e shkollës së mesme gjimnaz me kohë të plotë kualifikohen për lotarinë. Shkollat e mesme profesionale me kohë të plotë mund të kualifikohen nëse ato në thelb përputhen me kërkesat thelbësore të një të arsimi të mesëm me kohë të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi përfundimtar do të merret nga oficeri konsullor në ditën e intervistës për vizë.
Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme – pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesë vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjeshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin pa shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë.
Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së', sqaron selia diplomatike.