INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
LSI forcë e tretë? Kryemadhi: Makina e Tahirit në pronësi të trafikantëve, do të marrim drejtimin e qeverisë

LSI forcë e tretë? Kryemadhi: Makina e Tahirit në pronësi të trafikantëve, do të marrim drejtimin e qeverisë

Publikuar më: 18:29 01-06-2017

Nënkryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur edhe njëherë bindjen se kjo forcë do të dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, duke i quajtur sondazhet që e nxorën forcë të tretë, qesharake dhe jo shqetësuese. E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, përballë gazetarit Bledian Koka, Kryemadhi tha se LSI nuk paguan haraçe për sondazhe të tilla. “Më vjen për të qeshur por fillimi i mbarë nuk janë sondazhet por puna që ka bërë LSI me qytetarët. Sondazhet nuk e kanë treguar asnjëherë fituese. Sondazhet periferike janë qesharake dhe nuk janë absolutisht shqetësuese. LSI nuk ka për të paguar asnjëherë haraçe për sondazhe të tilla që jo vetëm kërkojnë të manipulojnë opinionin publik por edhe të heqin vëmendjen nga hallet e problemet e shqiptarëve.
Fshehja nëpërmjet numrave…Edhe Hillary Clinton fitoi nëpërmjet sondazheve por humbi. Është trillim apo demagogji që jemi mësuar ta shohim në mediat shqiptare për më tepër po të shikojmë metodologjinë”, deklaroi Kryemadhi.

Kandidate për deputet në qarkun e Elbasanit, numri dy i LSI-së tha se sondazhet nuk janë numra dhe se kjo forcë politike nuk bazohet tek sondazhet por në kontaktin me qytetarët në terren.
“Ky është gabimi që kanë bërë mediat dhe partitë politike. LSI nuk bazohet në sondazhe, por në terren në kontaktin e përditshëm me qytetarët. Kontakti me njerëzit është sondazhi më i mirë. Arroganca politike që ne shikojmë rëndom e bën atë shumë larg njerëzve. Shikojmë që kemi jo vetëm një jetë virtuale politike por edhe zhgënjehemi shumë kur shohim rezultatet. LSI nuk është zhgënjyer asnjëherë edhe pse kodet dhe rregullat janë bërë kundër saj”, theksoi Monika Kryemadhi.

Kryemadhi tha se LSI do dalë forcë e parë që të marrë drejtimin e qeverisë. “LSI do marrë drejtimin e qeverisë, prandaj do jetë forcë e parë. Do çojmë Shqipërinë ne rrugën e duhur dhe për të pasur më tepër punësim. LSI ka një plan real për vendet e punës të shpërndara në mënyrë të drejtë dhe të shpjeguar në mënyrë reale”- tha Kryemadhi.
Kryemadhi tha se programi i LSI është hartuar nga specialistë dhe njerëz intelektualë. Ajo u shpreh ndër të tjera se LSI do ulë taksat, pasi deri më tani biznesit është parë si armik.
“Programi është hartuar nga një forum i përbërë nga specialistë të fushave përkatëse. Në radhët e LSI ka mjaft intelektualë që njohin sistemin fiskal të vendit. Shqipëria është vendi që ka taksat më të larta në vend. Prandaj LSI do jetë forcë e parë sepse LSI do ulë taksat. Ne jemi për taksën progresive qe vjen me fashë të ulur. Mbi 1 milion lekë taksa do jetë 10%. Do jetë taksë e moderuar për konsolidimin e shtresës së mesme. Biznesi i vogël deri në 20 milionë do ketë taksën 5%. Ne këto kohë e kemi parë biznesin si armik. Klima e biznesit është mjaft e ngurtë dhe investitorët e huaj sa vijnë e reduktohen”- tha Kryemadhi.

Gjatë takimeve të zhvilluara me mbështetësit e PS në mbarë vendin, kryeministri Rama ka përdorur shprehjen se “nuk mund t’i jepet makinës me dikë në prehër”. Me këtë shprehje, kryeministri ka dashur të thotë se e do timonin ta drejtojë vetë, dhe jo me dikë tjetër, duke iu referuar bashkëqeverisjes me LSI. Por përgjigjën për këtë ia ka dhënë sot, deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, nga studio e “News24”.

Në rubrikën “Opinion”, Kryemadhi tha se kryeministri Rama ka probleme me lejen e drejtimit të mjetit.
Sakaq, deputetja e LSI është ndalur edhe tek e njëjta batutë e përdorur nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, për “timonin e qeverisë”, duke i kthyer edhe atij përgjigje.
“Kjo figura letrare me timonin nuk më pëlqen, është bërë bajate. Rama ka probleme me lejen e drejtimit të mjetit, s’ka patentë. Le të mësojë si drejtohet makina njëherë e ta shohë sesa e vështirë apo e lehtë është. E dëgjova edhe Tahirin që e bëri një batutë të tillë në një takim. Por Tahiri nuk ka probleme me lejen e drejtimit të mjetit, por me pronësinë e makinës. Makina në pronësi të tij është përdorur nga disa trafikantë”, tha Kryemadhi.

E pyetur nëse LSI po mendon të këmbejë vendet me PD-në, nisur nga akuza ndaj Tahirit për pronësinë e automjetit të tij dhe përse nuk ka folur më parë për këtë çështje Kryemadhi tha se atëherë nuk ishte zv.kryetare partie.
“Kjo është edhe arsyeja që ne jemi sot këtu në këtë situatë politike, që ne e shikojmë të paqartë. Jo vetëm të dobët ekonomikisht por edhe të paqartë politikisht. Ne nuk jemi treguar shumë të drejtpërdrejt me qëndrimet tona, ndoshta edhe për arsye politike. Kujtojmë ligjin për arsimin e lartë. Ne u bashkuam me PD-në që nëse nuk do pranoheshin aktet kushtetuese do ta çonim ligjin në Kushtetuese, asnjë prej nesh nuk e mbajti fjalën”, tha Kryemadhi duke shtuar se nëse LSI do të vinte në qeveri do ta ndryshonte dhe plotësonte këtë ligj për t’i dhënë fuqizim universiteteve publike.

Article Logic
Execution time: 0.0039939880371094