INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
LSI i bashkohet PD, flet Monika Kryemadhi: Vendim unanim, djegim mandatet!

LSI i bashkohet PD, flet Monika Kryemadhi: Vendim unanim, djegim mandatet!

Publikuar më: 17:51 18-02-2019

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të LSI, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se dhe LSI-ja ka vendosur t’i bashkohet, opozitës së bashkuar dhe se ka vendosur të djegë mandatet.

Në një deklaratë për mediat, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se djegia e mandateve është e vetmja rrugë për të rikthyer shtetin e së drejtës.

Kryemadhi u shpreh se fenomeni i blerjes së votës nga kjo maxhorancë është një nga burimet kryesore të konfliktualitetit politik në vend.

Deklarata e plotë e Kryemadhit:

"Me shqetësimin kritik dhe në rritje për rrënimin dhe asgjësimin e funksionimit të Kuvendit, si institucioni themelor i Republikës së Shqipërisë për shkak të arrogancës dhe paligjshmërisë së mazhorancës parlamentare, Me shqetësimin e jashtëzakonshëm për uzurpimin dhe kapjen nga mazhoranca të sistemit të drejtësisë dhe lënien e vendit pa Gjykatë Kushtetuese.
Me shqetësimin madhor për shkatërrimin e elementit themelor të demokracisë, ndarjen e pushteteve dhe kontrollin dhe balancën mbi pushtetet, Me vërtetimin botërisht nga media ndërkombëtare dhe dosjet gjyqësore të legjitimitetit të faktuar të kësaj qeverie dhe maxhorance për shkak të vjedhjes së votës dhe kriminalizimit të procesit zgjedhor nga kjo mazhorancë në zgjedhjet e 2017.
Me bindjen se paligjshmëria e kësaj mazhorance të krijuar nga vjedhja dhe kriminalizimi i votës është burim themelor për konfliktualitetin ekstrem politik, keq-qeverisjen e thellë të vendit, të vërtetuar nga skandalet e përditshme dhe pandëshkueshmëria e fajtorëve .
Thellësisht të shqetësuar për mungesën totale të vullnetit të mazhorancës për të realizuar reformat e nevojshme për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Duke vlerësuar të qëllimshme sjelljen e mazhorancës përpara detyrimit për të realizuar reformën zgjedhore, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm në zgjedhjet e ardhshme.
Duke vlerësuar me shumë shqetësim përkeqësimin tronditës të gjendjes ekonomike, rritjen e taksave, korrupsionin galopant, dhe shkatërrimin e besimit tek qytetarët dhe veçanërisht rinia, e cila po largohet masivisht.
Demonstrimi i mungesës së plotë të vullnetit nga mazhoranca për të kthyer në normalitet ligjor dialogun politik dhe funksionimin e kuvendit, si dhe injorimi, bullizimi dhe dhunimi i opozitës parlamentare nga ana e saj.
Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar, të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare; Grupi Parlamentar i LSI vlerëson se djegja e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lire.
Prandaj, Grupi Parlamentar, vendosi djegien e mandateve dhe mandatoi Kryetaren e LSI për të ndërmarrë të gjithë hapat statutore dhe politike në përmbushje të këtij vendimi", është shprehur Kryemadhi.

Article Logic
Execution time: 0.012523889541626