INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Lufta civile në Siri, SHBA akordon miliona dollarë ndihma humanitare

Lufta civile në Siri, SHBA akordon miliona dollarë ndihma humanitare

Publikuar më: 15:28 28-09-2016

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar se do të shtojnë ndihmat humanitare në Siri me 364 milionë dollarë më shumë. Këto ndihma së bashku me ato të OKB e shoqatave të tjera të bamirësisë, do të sigurojnë ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor për të prekurit nga lufta. Situata në vend është përshkallëzuar pas bombardimeve më të fundit të forcave qeveritare mbi Aleppo-n, ndërkohë që SHBA dhe organizata të ndryshme kanë bërë thirrje për krijimin e korridoreve humanitare në qytet.

Organizata Botërore e Shëndetit ka bërë thirrje për evakuimin e personave të plagosur e të sëmurë, të cilët duhet t’i nënshtrohen kujdesit mjekësor. Sipas një zëdhënëseje, tashmë janë vetëm 35 mjekë që kujdesen për qindra persona të mbetur në rrënoj. Teksa numri i viktimave shtohet, pajisjet mjekësore dhe rezervat e gjakut janë në pakësim.

Ndërkohë, forcat qeveritare siriane ndërmorën një sulm mbi zonat e marra peng nga rebelët në Aleppo-n lindor, pas prishjes së armëpushimit. Një sërë bombardimesh intensive nga ajri kanë goditur qytetin që prej asaj dite dhe të paktën 248 persona kanë mbetur të vrarë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët kanë thënë se këto sulme konsiderohen krime lufte dhe kanë akuzuar Rusinë për barbarizëm. Por Moska ka mohuar kategorikisht këtë pretendim duke e cilësuar si një retorikë të papranueshme.

Ndihmat më të fundit që SHBA pritet të dërgojnë në Siri, e çojnë shumën totale të ndihmave amerikane në 5.9 bilionë dollarë, sipas departamentit të shtetit.

Article Logic
Execution time: 0.0034279823303223