Një mjet tip Volkswagen Tuareg ka tentuar ti ikë policisë duke përplasur disa makina të tjera. Ndjekja si nëpër filma ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Tiranë ku dy të rinjtë që ishin në mjet nuk kanë pranuar t’i ndalojnë policisë pasi ishin të armatosur. Dy të rinjtë e identifikuar si Ervin Kodra 33 vjeç dhe Gentian Koçi 25 vjeç, kanë braktisur mjetin dhe kanë tentuar të largohen në këmbë. “Këta shtetas në rrugën “Jordan Misja”, duke lëvizur me mjetin tip “Tuareg”, i cili drejtohej nga shtetasi G. K dhe pasagjer shtetasi E. K, nuk i janë bindur shenjës së ndalimit të shërbimit të “Forcës së Posaçme Shigjeta”, pasi mbanin sende të kundraligjshme në mjet (2 armë zjarri pa leje), por janë larguar me shpejtësi me mjet, duke u bërë burim aksidenti e duke u përplasur edhe me 4 mjete të tjera në rrugë duke iu shkaktuar dëme materiale dhe pas ndjekjes nga ana e shërbimeve të Policisë këta shtetas janë ndaluar në rrugicat e rrugës “Jordan Misja”, ku dhe u bë arrestimi në flagrancë i tyre.Gjithashtu nga ana e shërbimeve të Policisë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri të llojit “Pistoletë”, të hedhura prej shtetasve të lartpërmendur pasi braktisën mjetin, në oborrin e një banese dhe në një rrugicë”-sqaron ngjarjen Policia e Shtetit. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Shkatërrim prone” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë”, parashikuar nga nenet 278, 150 dhe 242 të Kodit Penal.