Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë ka shprehur se lufta kundër korrupsionit, është një ndër prioritetet kryesore. Luigi Soreca tha se ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim, pasi korrupsioni prek funksionarët e administratës publike, dhe kjo është kosto për Shqipërinë.
“Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme edhe për popullsinë, reputacionin dhe zhvillimin ekonomik. Kostoja që paguan ekonomia është shumë e madhe, por kostoja e shoqërisë edhe më e madhe, sepse korrupsioni prek funksionarët e administratës publike dhe cilësinë e shërbimit. Në terma konkret kjo do të thotë më pak shkolla, spitale dhe punë. Korrupsioni është hajduti i qytetarëve shqiptarë”.
Teksa shprehu edhe mbështetjen e Bashkimit Europian, kreu i delegacionit të BE-së nënvizoi se çrrënjosja e korrupsionit kërkon edhe vullnet politik.