INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Luiza Gega kampione në Turqi, rrezikon përjashtimin nga ushtria shqiptare

Luiza Gega kampione në Turqi, rrezikon përjashtimin nga ushtria shqiptare

Publikuar më: 09:01 09-06-2017

Luiza Gega rrezikon të përjashtohet nga ushtria shqiptare, pasi ka thyer ligjin e disiplinës ushtarake, duke udhëtuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë pa marrë leje nga Forcat e Armatosura.

Prej vitit 2013, atletja shqiptare është përfshirë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke e gjetur këtë edhe si një mënyrë për të ndihmuar financiarisht sportisten.

Në bazë të ligjit ushtarak, edhe Luiza Gega, si çdo anëtar i Forcave të Armatosura, ka qenë e detyruar që të njoftojë dhe të kërkojë leje për çdo lëvizje jashtë territorit të Shqipërisë.

Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes konfirmojnë se, Luiza Gega ka kërkuar dy herë leje për të garuar me një skuadër të huaj, e në të dyja rastet kërkesa e saj është refuzuar nga Shtabi i Përgjithshëm.

Pavarësisht refuzimit, Luiza Gega ka marrë pjesë në kampionatin turk dy ditë më parë, nën fanellën e Fenerbahçes, në kundërshtim me statusin e ushtarakut dhe ligjin për disiplinën.

Si rrjedhojë, sapo të mbërrijë në Shqipëri, pritet që Luiza Gega të japë sqarime për këtë shkelje. Në bazë të rregullores, më pas do të mblidhet Komisioni i Disiplinës, i cili i propozon Shtabit të Përgjithshëm masën që do të merret, e cila mund të shkojë deri në përjashtimin e saj nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Article Logic
Execution time: 0.0057609081268311