Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka krahasuar sistemin shëndetësor shqiptar me atë të vendeve afrikane. Për këtë gjendje ai fajësoi qeverinë që nuk e financon sa duhet këtë sektor dhe koncensionet. Ndërsa ju kujtoi se nuk kanë mbajtur ende premtimin e shëndetësisë falas.
"Gjendja e spitaleve është katastrofike. Mungesat janë të nivelit të Afrikës qëndrore. Rrogat më të ulëta në rajon. Rrogat më të larta të sistemit tonë shëndetësor nuk kapin gjysmën e rrogave të Ballkanit. 15 vjet prapa ka mbetur indeksimi i rrogave me rajonin. Numri i mjekëve në vend kishte arritur në 1 për 1 mijë banorë. Ky është një nivel që nuk është parë as në vitet ’70, në kohën më të errët të diktaturës. Numri i specialiteteve disa herë më i ulët se mesatarja europiane,” tha Basha.
Ai sjelljen e qeverisë e krahasoi me një cirk.
“Kjo është shoqëruar me cirkun e përditshëm të përgjegjësit për këtë situatë që akuzon profesionistët, të njëjtën gjë që bën me universitetet, me sipërmarrjet. Nga një gënjeshtër e madhe si shëndetësia falas, tërë dështimin mundohet t’ia faturojë profesionistëve. Mjekët përpiqen në kushte spitalesh lufte,” përfundoi Luzim Basha.
Basha këto deklarata i bëri në konferencën rajonale mbi sfidat dhe vizionin në sistemin e shëndetësisë të organizuar në Tiranë nga një Fondacion gjerman.