Lideri i opozitës Lulzim Basha ka folur pa doreza në një intervistë për Al Jazeera, duke i ngarkuar përgjegjësi për situatën edhe ndërkombëtarëve. Ndryshe sa jemi mësuar me deklarata diplomatike, Basha ka deklaruar se shqiptarët janë të tronditur nga mosreagimi ndërkombëtar.
“Shqiptarët janë të tronditur nga mosreagimi ndërkombëtar ndaj provave që lidhin Ramën me krimin e organizuar përmes së cilëve ai rifitoi pushtetin në vitin 2017. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme, e cila potencialisht të çon në trazira civile, trazira sociale, nëse nuk ka një dënim të qartë të farsës e cila tashmë ka ndodhur”, thotë Lulzim Basha për Al Jazeera.
Kronika e Al Jazeera është realizuar në qendrën e votimit në Shkollën e Mesme Ibrahim Rugova në Kamëz.
“E vetmja gjë që mund të më lëvizë nga zyra, është vota e njerëzve dhe jo vendimi i një partie politike. Ne nuk jemi në Korenë e Veriut dhe nuk jemi më në komunizëm. Unë nuk do të njoh këto zgjedhje”-shprehet kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu për gazetarin e Al Jazeera.