Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbylljes së votimeve doli në deklaratë për mediat. Kryefjala e tij ishte pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve që morën pjesë në votimet e sotme ku partitë më të mëdha opozitare nuk morën pjesë. Sipas Bashës, Rama sot u braktis nga 85 për qind e qytetarëve.
“Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit”, deklaroi Basha.
Basha foli dhe për presione të mëdha ndaj punonjësve të shtetit. “Vota e sotme, votë e sektorit publik, nën terrorin e bukës së gojës. Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vertetuar pjesëmarrjen e tyre në votim”, deklaroi Basha.
Në vijim, Basha i tha se, “Kjo farsë është nul, ky proces është antikushtetues dhe antiligjor. Sot kumboi mesazhi i qartë i shqiptarëve: Me këtë refuzim paqësor por të vendosur ne kemi shënuar një kthesë historike, një monument kombëtar të qëndresës dhe qytetarisë”.
Në përfundim, ai tha se nga sot ndryshimi është bërë i pashmangshëm. “Sot është një ditë domethënëse për kombin tonë. Sot është dita kur ne të gjithë jemi sjellë si europianë të denjë dhe kemi refuzuar autokratin e korruptuar lindor Edi Rama dhe bandën e tij. Ndryshimi do të vijë shpejt. E sotmja e ka bërë të pashmangshëm”, e përfundoi deklaratën Basha.