Një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta është goditur në Lushnje, në kuadër të operacionit “Ndëshkimi i të fortëve”.
Kontrollet janë kryer nga policia e Lushnjës dhe FNSH në lokale në akset rrugore dhe ambiente të ndryshme. Në kuadër të këtij operacioni, patrulla e policisë arrestoi në flagrancë një shpërndarës të drogave të forta, ku sekuestroi 15 doza kokainë.
Në pranga ka rënë shtetasi Sebastian Haliti, 24 vjeç, banues në Lushnjë dhe u procedua penalisht pasagjeri që ishte në automjet me të, shtetasi L.A, 27 vjeç, banues në Lushnje.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga shtetasi Sebastian Haliti, në kroskotin e tij, u gjendën dhe sekuestruan 15 doza kokainë.
Gjithashtu nga verifikimi që i është bërë automjetit tip Mercedes-Benz, dyshohet se ky automjet mund të jetë i vjedhur dhe trafikuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.