“Ky çmim është ‘Everesti’ për mua”, u shpreh xhudistja Majlinda Kelmendi pasi mori çmimin “Best Female Judoka Today”, (Xhudistja më e mire e Sotme) nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.
Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, është nderuar me çmimin më të madh në karrierë mbrëmjen e së dielës në Budapest.
Gjatë fjalimit të saj, Kelmendi ka falënderuar kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për të cilin ka thënë se mbështetja e tij i ka mundësuar suksese xhudos kosovare.
“Nder i madh që të jem këtu. Kam disa fjalë për të thënë. Shpresoj të mos ju pengoj. Fillimisht dua të uroj presidentin për mandatin e ri. Faleminderit që e keni mbështetur Kosovën. Ju jeni arsyeja që Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik. Falë jush më është mundësuar të përfaqësoj Kosovën në Rio. Falë jush Kosova e ka medaljen olimpike. Faleminderit nga zemra”, është shprehur Kelmendi.
“Falënderim special për njeriun që më ka rritur dhe më ka bërë kampion, trajneri Driton. Vëllezërit Syla dhe Agroni. Të gjithë e njihni historinë time. E kam nisur karrierën në Kosovë. Kam fituar gjithçka. Por ky çmim sot është ‘Everesti’. Nuk mund të kërkoj për më shumë”, ka theksuar ajo.