Dy turistë izraelitë janë përfshirë sot në një aksident në Elbasan. Policia ka bërë me dije se, sot në orët e mesditës dy automjete janë përplasur në unazën jugore të Elbasanit. Në këtë aksident është përplasur një çift izraelit që udhëtonte me motor me targa rumune. “Rreth orës 14:15, në Elbasan, mjeti tip “Toyota” me drejtues shtetasin F. P, banues në Elbasan, është përplasur me mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin B.U, banues në Elbasan. Në përplasje është përfshirë dhe motoçikleta tip “Honda” me drejtues shtetasin N.S., banues në Izrael, i cili si pasojë e përfshirjes në përplasje është dëmtuar vetë dhe pasagjerja, shtetësia M.N., me banim në Izrael”, bën me dije policia.
Është mësuar se drejtuesi i motoçikletës ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje më të rëndë është shoqëruesja e tij, e cila ka marrë plagë të shumta pasi njëra prej makinave me të cilat u përplasën e ka marrë përpara dhe e ka zënë poshtë. Turistja izraelite është nisur drejt Urgjencës së Tiranës për mjekim më të specializuar.
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme një turist polak u rrëzua dhe theu këmbën në Theth. Ai ndodhet në spital.