INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mali i Zi kundër shkëmbimit të territoreve: Efekt domino në rajon

Mali i Zi kundër shkëmbimit të territoreve: Efekt domino në rajon

Publikuar më: 15:03 14-11-2018

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, konsideron se përparimi në gjithë Ballkanin Perëndimor është i rrezikuar ndërsa pohon se negociatat e reja midis presidentëve të Kosovës dhe Serbisë mund të shkaktojnë një efekt domino në rajon. Në një intervistë dhënë për gazetën franceze Le Figaro, gjatë vizitës së tij në Paris Gjukanoviç thotë se marrëdhëniet midis vendit të tij dhe Rusisë nuk kanë qenë kurrë kaq të këqija. Sipas tij Rusia kundërshton integrimin e Ballkanit Perëndimor në NATO. Për sa i përket idesë së hedhur nga dy presidentë Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç për shkëmbimin e territoreve midis dy vendeve ai shprehet se duhet pasur kujdes që të mos krijohet ndonjë precedent që do të nxiste efektin domino në rajon. Gjukanoviç thotë se "kjo temë për kohë të gjatë ka qenë tabu, sepse kujton përvojat e këqija nga vitet '90. “Pas përfundimit të luftërave, në rajon është folur më shumë për multikulturalizmin dhe demokracinë multientike. Është e vërtetë që disa kryeqytete perëndimore e kanë ndryshuar mendimin e tyre", thotë presidenti malazez. Ai e sheh si kërcënim për Ballkanin edhe përkeqësimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kroacisë. "Kam frikë se një zhvillim i tillë i situatës u hap rrugë mbështetësve të 'Serbisë së madhe'. Disa prej tyre përsëri kanë nisur të vënë në dyshim pavarësinë e Malit të Zi, duke pretenduar se Serbia ka të drejtë natyrore mbi Malin e Zi. Kjo retorikë është e rrezikshme në kohë të paqëndrueshmërisë, gjë që është dëshmuar edhe në vitet '90", thotë Gjukanoviç. Ideja për shkëmbim territoresh është hedhur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve.

Article Logic
Execution time: 0.004539966583252