Pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se malazezët janë popull agresiv dhe mund të çojnë drejt një Lufte të Tretë Botërore, vjen reagimi nga Mali i Zi. Qeveria e Malit të Zi thotë se shteti i tyre është krenar për historinë dhe traditën e saj, politikën e paqes dhe është shteti i parë në Evropë që ofroi rezistencë ndaj fashizmit. Reagimi i Malit të Zi ka ardhur i bashkëngjitur me një fotografi të zëvendës presidentit amerikan Mike Pence që kohë më parë e kishte vizituar shtetin malazez.
Reagimi i plotë i Malit të Zi:
‘’Qeveria e Malit të Zi, vlerëson interesimin e një numri të mediave vendase dhe të huaja për t’u përcaktuar në lidhje me deklaratën e Presidentit nga SHBA-ja, Donald Trump dhënë në një intervistë. Mali i Zi është krenar për historinë, traditën e saj dhe politikën e paqes që ka çuar në pozitën e shtetit më të fuqishëm në rajon dhe në të vetmin shtet në të cilin nuk ka parë rënien e ish-Jugosllavisë. Një vend që mori dhe mbrojti 120.000 njerëz. Mali i Zi është i pari i në Evropë ku ofroi rezistencë ndaj fashizmit dhe sot si një anëtar i ri i NATO-s dhe një kandidat për Bashkimin Europian, kontribuon në paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në kontinentin evropian, por tashmë në mbarë botën së bashku me ushtarët amerikanë në Afganistan. Ne ndërtojmë miqësi dhe nuk kemi humbur asnjë prej tyre, të aftë për të mbrojtur me guxim dhe me vendosmëri dhe për të mbrojtur interesat tona kombëtare. Në botën e sotme të mbushur me sfida, nuk ka rëndësi se sa të mëdhenj apo të vegjël jeni, por në çfarë mase vlerësoni lirinë, solidaritetin dhe demokracinë. Për shkak të gjithë kësaj, miqësia mes Aleancës së Malit të Zi dhe të Shteteve të Bashkuara, është e fortë dhe e përhershme.’’
Ndërkohë edhe NATO ka reaguar pas komenteve të Donald Trumpit mbi qytetarët e Malit të Zi. Traktati që ne kemi firmosur, tha një zyrtar i lartë i aleancës për mediat, është i pakushtëzuar dhe nuk e luan as topi, duke rikonfirmuar kështu moton “sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve”.