INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Malltezi: Nuk qëllova Taulant Ballën, ai më sulmoi politikisht

Malltezi: Nuk qëllova Taulant Ballën, ai më sulmoi politikisht

Publikuar më: 09:11 27-06-2016

Nuk ka preferuar të reagojë publikisht, por përpara drejtësisë Jamarbër Malltezi nuk ka pranuar të ketë qëlluar deputetin Taulant Balla në aeroportin e Romës, në Itali. Pas marrjes në pyetje për më shumë se dy orë, pas denoncimit nga deputeti socialist, hetuesit e Policisë nuk kanë mundur të shënojnë në procesverbalin e dëshmisë së Malltezit as pohim, as mohim nga ana e tij.
Dëshminë përballë drejtësisë Jamarbër Malltezi e ka dhënë në praninë e bashkëshortes së tij, pas denoncimin penal të bërë nga Taulant Balla në aeroportin e Rinasit.
Malltezi, duke thënë se nuk ka asnjë gjë për të shpjeguar, mësohet se ka pranuar një debat verbal me deputetin socialist në aeroportin e Romës. Sipas hetuesve, Malltezi ka pretenduar se Balla kishte bërë “provokim politik” ndaj tij dhe bashkëshortes, pa shpjeguar nëse fjala është për episode të ndodhura në aeroportin e Romës apo për debatet e deklaratat politike të personazheve në vazhdimësi.
Ndërkohë pas seancës në Polici, Malltezi është lënë i lirë, ndërsa dosja ndaj tij është referuar në Prokurorinë e Tiranës për akuzat “dëmtime të tjera me dashje” dhe “goditje për shkak të detyrës”.
Policia e Tiranës tri ditë më parë ka nisur procedim penal në lidhje me goditjen për shkak të detyrës ndaj deputetit Taulant Balla. Vetë deputeti ka shkuar në Komisariatin e Rinasit, pas kthimit nga Roma të premten, dhe ka denoncuar Malltezin për dëmtime të tjera me dashje dhe goditje për shkak të detyrës.

Article Logic
Execution time: 0.0035688877105713