INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Manastirliu në Forumin e Stokolmit: Të forcojmë mekanizmat ligjorë për t’i dhënë fund dhunës në familje

Manastirliu në Forumin e Stokolmit: Të forcojmë mekanizmat ligjorë për t’i dhënë fund dhunës në familje

Publikuar më: 16:41 17-04-2018

 Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu mori pjesë në Forumin Botëror të Barazisë Gjinore që u zhvillua në Stokolm të Suedisë ku merrnin pjesë ministra, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile nga 100 vende të Botës.

“Për qeverinë shqiptare, trajtimi i çështjeve të barazisë gjinore dhe dhunës me bazë gjinore nuk janë vetëm çështje të të drejtave të njeriut por faktorë kyç që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe progresin social të vendit”, u shpreh Ministrja Manastirliu në fjalën e saj.

Ministrja u ndal te puna e bërë për përmirësimin e legjislacionit për mbrojtjen e grave, viktima të dhunës me bazë gjinore dhe rezultatet që kanë sjellë këto ndryshime, në 5-fishimin e denoncimeve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore gjatë viteve të fundit.

“Nëse në vitin 2008 numri i rasteve të grave që denonconin dhunën në familje ishte 882, me forcimin e mekanizmave ligjorë, gjatë vitit të kaluar 4543 gra kanë denoncuar dhunën. Një dëshmi e rritjes së ndërgjegjësimit në shoqëri se dhuna me bazë gjinore nuk është një sekret që duhet mbajtur brenda mureve të shtëpisë por duhet denoncuar dhe dënuar bazuar në ligjet në fuqi. Një dëshmi gjithashtu e rritjes së besimit në institucionet shtetërore për trajtimin e këtij fenomeni. Por duhet të forcojmë më shumë mekanizmat ligjorë për ti dhënë fund dhunës në familje”, tha Manastirliu.

Ministrat e Çështjeve Sociale dhe përfaqësuesit e lartë politikë pjesëmarrës në këtë Forum u angazhuan për të punuar së bashku për zgjidhje konkrete të çështjeve që lidhen me barazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore.

Article Logic
Execution time: 0.0036220550537109