INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Maqedonia i shpëton krizës, zgjedhjet do mbahen më 5 qershor

Maqedonia i shpëton krizës, zgjedhjet do mbahen më 5 qershor

Publikuar më: 07:30 24-02-2016

Maqedonia duket se i shpëtoi një krize të re që do e çonte vendin në një rrugë pa krye. Pak para mesnate, kur ishte edhe afati i fundit, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, palët arritën marrëveshjen dhe votuan që Parlamenti aktual të mos shpërndahet.

Me 83 vota pro dhe 3 kundër kuvendi miratoi vendimin për shtyrjen e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit. LSDM-ja nuk votoi rreth këtij vendimi, koordinatori i kësaj partie Goran Sugarevski deklaroi se edhe njëherë u vërtetua ajo se në Maqedoni nuk ka kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Parlamenti i Maqedonisë do të shpërndahet më 7 prill për të shkuar në zgjedhje të parakohshme më 5 qershor.

Mediat në Maqedoni shkruajne se lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski në konferencën për media tha se ka marrë besimin e plotë nga Ali Ahmeti se e mbështesin 5 qershorin si datë të zgjedhjeve dhe se ata shkojnë në zgjedhje me ose pa LSDM:

“Morëm besimin e plotë të Ali Ahmetit se mbështesin 5 qershor si datë për zgjedhje me ose pa LSDM-në. Vetëm me daljen në zgjedhje fitohet legjitimiteti i popullit dhe në asnjë mënyrë tjetër. E dëgjova Zaevin i cili tha se asgjë nuk varet nga Nikolla Gruevski, që nënkupton se janë plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve, andaj Zaev, merr guximin dhe të ballafaqohemi në zgjedhje.

Deri më 5 qershor mund të thoni gjithçka, por më 5 qershor do të turpëroheni nga vetvetja, më 5 qershor do të pësoni fiasko”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërsa Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se anulimi i shpërbërjes së Kuvendit dhe mosmbajtja e zgjedhjeve më 24 prill është një disfatë e radhës e Nikolla Gruevskit.

Për të ndihmuar procesin për daljen nga kriza politike, në Shkup po qëndrojnë 3 europarlamentarët, Richard Hoëitt, Ivo Vajgel dhe Eduard Kukan, të cilët kanë zhvilluar takimet me krerët e 4 partive kryesore VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH.

 



 

Article Logic
Execution time: 0.003680944442749