Republika Veriore e Maqedonisë është emri për të cilin kanë rënë dakord të dy kryeministrat Zaev dhe Tsipras, ndërsa marrëveshjen mes dy vendeve, do ta nënshkruajnë gjatë kësaj fundjave. Mendohet se me shumë gjasa firmosja do të ndodhë të shtunën në Prespë, në territorin grek kanë njoftuar mediat greke.
“Çështja e Shkupit një hap drejt zgjidhjes”, “Sot mbyllet çështja e Shkupit”, “Sot është telefonata kryesore”, “Maqedonia Veriore është emri i dakordësuar”, janë disa nga titujt e mediave greke, lidhur me bisedën telefonike të paralajmëruar që sot të ndodh ndërmjet kryeministrit Zaev dhe Tsipras. Siç informojnë mediat vizive dhe të shkruara në Greqi, nëse sot arrihet marrëveshja, pritet që kryeministri grek të njoftojë së pari presidentin e shtetit të Greqisë, ndërsa më pas edhe liderët partiakë. Sipas mediave greke, nëse arrihet marrëveshje eventuale të dy kryeministrat, Zaev dhe Cipras, gjatë fundjavës do të takohen në Prespë në territorin grek dhe ta zyrtarizojnë marrëveshjen. Rreth një orë ka zgjatur biseda mes kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe atij grek Aleksis Tsipras, dhe sipas asaj që tha Zaev më herët, është biseduar për detaje dhe formulime dhe se sot sërish do të dëgjohen për të tentuar që të finalizohen të gjitha detajet për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ai ishte mjaft optimist dhe tha që beson se gjithçka po shkon në rrugën e duhur dhe që shumë shpejtë do të zgjidhet kjo çështje duke shpresuar që Maqedonia po ashtu të ketë ftesë për anëtarësim në NATO.