Diego Maradona është emëruar trajneri i ri i klubit meksikan Dorados, raportojnë mediat lokale. Dorados, klub i divizionit të dytë meksikan, publikoi një video të shkurtër në kanalet e veta në rrjetet sociale, me mesazhet “Mirëseerdhe Diego” dhe “Bëje 10”, duke shpalosur fanellën e Maradonës si futbollist.
Një kapërcim i çuditshëm për El Pibe de Oro, që në fakt pas ndarjes me futbollin e luajtur ka habitur në çdo lëvizje të tij si trajner. Pak muaj më parë Maradona arriti marrëveshjen për t’u bërë president i klubit bjellorus Dynamo Brest, një çudi më vete, pasi nuk dihej realisht se çfarë mund t’i ofronte këtij klubi legjenda argjentinase.
Gjithsesi, kontrata 3-vjeçare në Brest mund të prishej në rast të ndonjë oferte të rëndësishme apo mungesë ambientimi në Bjellorusi. Dorados pushoi nga puna trajnerin Francisco Gamez, për shkak të një fillimi shumë të dobët të sezonit, me 3 pikë në 5 ndeshje.