INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Marrëveshja për detin.  Zbulohen armiqtë e përbashkët të Bushatit dhe Kotziasit

Marrëveshja për detin. Zbulohen armiqtë e përbashkët të Bushatit dhe Kotziasit

Publikuar më: 11:33 23-07-2018

Me sa duket bisedimet Tiranë – Athinë po shkojnë aq mirë sa ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë filluar të adaptojnë edhe gjuhë të përbashkët. Në mundimin sizifian për të përafruar problemet që ndajnë gati prej një shekulli Shqipërinë dhe Greqinë ata kanë identifikuar edhe armiqtë e përbashkët. Ato janë opozitat respektive në secilin vend. Fundjavën që mbaroi ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati nuk nguroi të thurte teori konspirative për një plan për minimin e marrëveshjeve. Gjatë një takimi me ministrin gjerman për Europën, Michael Roth, ai tha: “për fat të keq shohim qartë dita ditës që ka një strategji të orkestruar për ta mbajtur peng dhe për të mos lejuar që marrëdhënia shqiptaro-greke të çlirojë energjinë që ajo mundet.”

Bushati e ka precizuar saktësisht se kë akuzon si promotor të kësaj strategjie të orkestruar, kur ka folur për faktin se ai do të nënshkruaj një marrëveshje shumë më të leverdishme se ajo që bëri Berisha me Karamanlisin. Ai tha se ajo do të jetë: “shumë më e mirë se ato që kemi parë në të shkuarën edhe për faktin që ne kemi nxjerrë disa mësime të hidhura nga gabimet e të shkuarës, pavarësisht se ata që kanë bërë ato gabime sot për sot bërtasin më shumë në çdo media si gjoja copëtim të trojeve shqiptare apo tradhtia e radhës ndaj kombit shqiptar e kështu me radhë”.

E bukura është se po në të njëjtën kohë me homologun e tij shqiptar ka reaguar edhe Niko Kotzias. I akuzuar për tradhti kombëtare në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka folur për forca politike në opozitë që shfrytëzojnë ndjeshmëritë e opinionit për përfitime të ngushta politike. “Le të marrim si shembull ligjin e luftës. A mund të imagjinojmë se jemi akoma dy vende në luftë? Opozitat, në të dy anët e kufirit, po përpiqen të punojë mbi këtë bazë, mbi zemërimin e njerëzve. Për të riprodhuar stereotipet negative dhe paragjykimet mes popujve. Arritën të thonë se Greqia humbi Epirin e Veriut për shkakun tim”-deklaroi Kotzias.
Deputetët e Demokracisë së Re në opozitë kanë iniciuar një seancë dëgjimore me ministrin grek për të bërë transparencë mbi marrëveshjen e pritshme me Shqipërinë, pasi qeveria greke akuzohet për mungesë transparence në bisedimet me Tiranën.
Ministri i jashtëm Shqiptar ka sqaruar edhe temat e bisedimeve që kanë nxehur opozitat e dy vendeve: “Jemi në tryezë qoftë për kufizimin e zonave detare, ashtu edhe përsa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me menaxhimin e kufirit tokësor, menaxhimin e incidenteve kufitare dhe piramidave” ka thënë ai duke shtuar: “Nuk e di nëse ka një strategji të mirëpërcaktuar apo është koicidencë fakti që si opozita në Greqi dhe ajo në Shqipëri ndajnë të njëjtën qëndrim për këtë çështje. Fakti që ka kundërshtime si në Shqipëri dhe Greqi me atë që po bëjmë në palën greke jemi në rrugën e duhur”.

Ky lajm nuk pasqyron linjën editoriale të intv.al

Marrë nga: lapsi.al

https://lapsi.al/2018/07/23/teorite-konspirative-bushati-dhe-kotzias-zbulojne-armiqte-e-perbashket/

 

Article Logic
Execution time: 0.0037899017333984