INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Marrëveshja për emrin me Greqinë sprovë për institucionet e Maqedonisë

Marrëveshja për emrin me Greqinë sprovë për institucionet e Maqedonisë

Publikuar më: 09:48 01-07-2018

Kuvendi i Maqedonisë do të mbajë javën e ardhshme seancën ku do të votohet për herë të dytë Marrëveshja për emrin me Greqinë. Presidenti Gjorge Ivanov refuzoi ta dekretojë ligjin që u miratua me shumicë votash, më 20 qershor, me arsyetimin se marrëveshja që parasheh ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Maqedonia e Veriut” është antikushtetues. Radio Europa e Lirë shkruan se “duke marrë parasysh refuzimin e parë, partitë në pushtet nuk e përjashtojnë mundësinë që presidenti ta refuzojë edhe votimin e dytë”. Njohësit e çështjeve juridike, thonë se presidenti si në rastin e Marrëveshjes me emrin me Greqinë, ashtu edhe me Ligjin për gjuhën shqipe, që po ashtu nuk është dekretuar, bënë shkelje të Kushtetutës dhe se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. “Presidenti nuk e ka një të drejtë të tillë, si të drejt absolute. Ai ka të drejtë që një ligj të cilin e miraton Kuvendi, në votimin e parë të mos e dekretojë, por pas votimit të dytë, ai është i obliguar të fuqizojë ligjin. Nëse këtë nuk e bën, atëherë ai duhet të bartë përgjegjësi. Kushtetuta qartë i ka të përcaktuar të drejtat e presidentit dhe nuk mbajnë pretendimet e disa intelektualëve maqedonas se gjoja presidenti ka të ‘drejtën e xhepit’, dhe kur të dojë mund t’i vë veto ligjeve. Me veprimet që bënë presidenti manifeston të drejtën absolute, por një të drejtë të tillë nuk e ka. Nëse nuk e dekreton atëherë hapet një kaptinë e re, ajo e përgjegjësisë ndaj tij”, thotë për REL, Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Marrëveshja për emrin, nga partitë në pushtet vlerësohet si një nga vendimet më të rëndësishme që nga pavarësia e Maqedonisë dhe Marrëveshja e Ohrit, por partia opozitare VMRO-DPMNE dhe presidenti i shtetit i zgjedhur në këtë post me votat e VMRO-së, thonë se Marrëveshja për emrin paraqet “kapitullim dhe tradhti kombëtare”, meqë sipas tyre, me të hiqet dorë nga identiteti dhe gjuha maqedonase.

Article Logic
Execution time: 0.003619909286499