Ndeshja Shqipëri-Izrael do të zhvillohet nën masat më të rrepta të sigurisë nga frika e sulmeve të mundshme terroriste. Si asnjë herë më parë për një aktivitet të futbollit më shumë se 3 mijë forca të policisë shqiptare kanë zbritur në terren. Policia e Rendit, ekspertë të anti-terrorit, agjentë të forcave speciale dhe SHISH prej dy ditësh janë vendosur në Elbasan. Stadiumi dhe ambientet rreth tij janë në survejim prej disa ditësh. Ndërkohë, veç forcave të policisë tonë, në Shqipëri ka mbërritur dhe një ekip i shërbimeve inteligjente të Izraelit, MOSSAD për të shoqëruar ekipin e tyre. Dje futbollistet e ekipit të Izraelit mbërritën në Tiranën e blinduar. Rreth 15 rrugë kryesore të qytetit ishin bllokuar nga forcat e policisë. Ndërsa detajet e strehimit dhe lëvizjes së lojtarëve mbahen sekret.
Por cilat janë arsyet e një alarmi të një niveli kaq të lartë? Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve inteligjente katër shqiptarët e arrestuar në Shkodër thuhet se janë të implikuar me organizatën terroriste ISIS. Sipas mediave ata kishin planifikuar sulme në Shkodër. Të dyshuarit, imami i vetëshpallur Xhezair Fishti, Ergys Faslia, Bekim Protopapa dhe Medat Hasani u arrestuan një javë më parë në Shkodër. Nga përgjimet e tyre ka të dhëna se kishin planifikuar të sulmonin stadiumin “Loro Boriçi”, ditën që do të luhej ndeshja Shqipëri-Izrael. Burime të rezervuara nga shërbimet inteligjente kanë thënë se përgjimet e personave të arrestuar kanë nxjerrë dhe detaje për mënyrën se si do të organizohej sulmi. Qëllimi ka qenë për të kryer një skenar të njëjtë terrori si në Paris, kur ishte planifikuar të zhvillohej ndeshja e futbollit Francë-Gjermani.
Parashikohej që ekstremistët të shpërthenin eksploziv në stadium dhe më pas të sulmonin me automatikë. Mësohet se urdhri për të kryer kasaphanën brenda dhe jashtë stadiumit ka mbërritur nga disa luftëtarë kosovarë që luftojnë për ISIS-in në Siri. Një prej emrave që përmendet në dosjen hetimore si urdhërues i sulmit është Lavdërim Muhaxheri nga Kosova, një terrorist i njohur për vrasje dhe masakra që ka kryer në Siri. Muhaxheri disa herë është raportuar në mediat ndërkombëtare si i vdekur, por dyshimet janë se ai është ende gjallë dhe drejton një batalion rekrutësh nga Ballkani në zonën e Shtetit Islamik në Siri. Terroristët kanë ideuar sulmin gjatë ndeshjes me Izraelin për shkak edhe të qëndrimeve të njohura të ISIS-it kundër shtetit të Izraelit.
Në komunikimet që Muhaxheri dhe disa persona të tjerë në Kosovë ka pasur nëpërmjet internetit është biseduar se “duhet patjetër të sulmohet, pasi kështu ishte vullneti i profetit”. Urdhrat ekstremistëve në Siri dhe Kosovë, gjatë bisedimeve porositeshin që tu jepeshin edhe mbështetësve të tyre në Shqipëri, konkretisht të arrestuarve në Shkodër. Eshtë diskutuar për sulmin gjatë ndeshjes me Izraelin dhe për një sulm që do të kryehej në burgun e sigurisë së lartë në Tiranë, ku ndodhen të arrestuar disa të dyshuar për terrorizëm. Nga bisedat mes tyre bëhet e ditur se Shteti i Kalifatit (ISIS) e ka miratuar këtë sulm dhe sapo të kryhej do merrte përsipër autorësinë e këtij akti. Në komunikime e përgjuara drejtuesit e grupit terrorist kanë kërkuar në mënyrë të qartë që gjatë sulmit duhet të shkaktoheshin sa më shumë viktima.
Këto përgjime vunë në lëvizje në mënyrë urgjente policinë e shtetit e cila realizoi arrestimet një javë më parë në Shkodër. Pjesë e operacionit kanë qenë dhe shërbimet e vendeve partnere si dhe shërbimet inteligjente të Izraeli. Dyshimet ishin se sulmi mund të kryhej edhe gjatë meshës së lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike.
Ndeshja Shqipëri-Izrael me shumë se si ndeshje futbolli po shikohet si një “ndeshje” për të garantuar sigurinë ndaj ISIS. Të gjithë personat e dyshuar janë nën survejim ditë-natë nga sherbimet intelegjente dhe policia kriminale. Ka informacione se sonte do të bëhen arrestime, por pa zhurmë ndaj këtij kontigjenti që ndodhet në Shqipëri.