INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Masakra e Orlandos, dëshmia: U shtira si i vdekur për të shpëtuar [VIDEO]

Publikuar më: 09:03 15-06-2016

“M’u desh të shtiresha si i vdekur për të shpëtuar”, kjo është pjesë nga rrëfimi i njërit prej të mbijetuarve të paktë të masakrës në klubin e homoseksualëve të Orlandos, në SHBA. Angel Coton thotë se ka shpëtuar prej një mrekullie.

“Ne të gjithë po kalonim shumë mirë, po pinim diçka e madje nuk do të qëndronim edhe shumë gjatë. Nuk kishte drama, vetëm buzëqeshje. Kur disa çaste më vonë u dëgjua një krismë e madhe. Nisëm të përqafonim njëri-tjetrin dhe vrapuam. Unë u plagosa 3 herë në këmbë, ndaj u rrëzova. Të tjerët nisën të kalonin mbi trupin tim për të shpëtuar”, tha i mbijetuari.

Por duket se çasti më i tmerrshëm për të nuk kishte ardhur ende.

“Në këtë moment dikush u fut në dhomë. Ai qëlloi vajzën ngjitur me mua. Aty mendova: tani është radha ime, jam i vdekur. Ai shkrepi armën, por për fat të mirë plumbi nuk më kapi kokën, por dorën. Me siguri ka kujtuar se unë isha i vdekur dhe u largua”, tha i mbijetuari.

Për të mbijetuarin, oficeri i policisë që e largoi më pas ishte një hero, të cilin tani kërkoi ta njihte personalisht. Omar Mateen, agresori i kësaj masakre rezulton se ka qenë një klient i rregullt i “Pulse Club”, ku kreu edhe vrasjet më të rënda në SHBA të viteve të fundit.

Article Logic
Execution time: 0.0035290718078613