Është dorëzuar në Policinë e Tiranës, Ervin Mata, njëri prej personave të shpallur në kërkim pas ngjarjes së ndodhur në 4 Tetor të vitit të kaluar në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Eljo Hato dhe Ervis Martinaj.
Burime të Tv Klan thanë se Mata është dorëzuar në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit që mbrëmjen e së premtes, por policia ka qenë e rezervuar për të publikuar lajmin.
Mata qëndronte në arrati prej 5 muajsh. Hetimet e policisë nuk e kanë përcaktuar ende rolin e tij në konfliktin me armë. Njëra nga pistat e hetimit është ajo e një konflikti direkt të tij me Ervis Martinin.
Në polici është pyetur edhe e dashura e tij, këngëtarja Elvana Gjata, e cila rrëzoi pistën e sherrit si pasojë e ngacmimit të saj nga Fabian Gaxha.
Pak kohë më parë, policia arrestoi edhe bashkëpunëtorin e Ervin Matës, Fabio Allushin.
Tashmë në kërkim është vetëm komandoja 41-vjeçar Melviol Billo, i cili akuzohet se hapi zjarr duke lënë një të vrarë dhe 2 të plagosur. Në kërkim është shpallur edhe një tjetër biznesmen, i identifikuar si Eldi Dizdari. Të arrestuar për ngjarjen janë Ervis Martinaj dhe Eljo Hato që mbetën të plagosur në atë ngjarje.