Katër policë të burgut të Peqinit janë arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
Sipas denoncimit që ka bërë Komiteti Shqiptar i Helsinkit, katër efektivët e policisë janë arrestuar nën akuzën se kanë masakruar një të dënuar. Mësohet se ata kanë qënë në detyrë mbrëmjen e 30 shtatorit, kur në qeli është dhunuar i burgosuri me inicialet V.G.
Ekzaminimi fizik i të dënuarit nga ekspertët mjeko-ligjorë , ka konstatuar katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit, si dhe një hematomë në bark.
Sipas institucionit të Drejtësisë punonjësit e policisë së Forcave Operacionale A. Ismaili, D.Piku dhe A.Alliu kanë hyrë në qelinë e të dënuarit me inicialet V.G pavarësisht se nuk kanë pasur urdhër për kryerjen e kontrollit.
Të tre punonjësit e policie të rolit bazë në Sektorin e Forcave Operacionale në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve janë shkarkuar nga detyra pas dhunës që kanë ushtruar ndaj të dënuarit.
Ministria e Drejtësisë deklaron se është shkarkuar nga detyra edhe K/Komisari A.Hitaj, me detyrë Shef policie, me motivacionin si i papërshtatshëm për të punuar në policinë e burgjeve, për shkak të dënimit të tij me vendim gjykate në vitin 2015 për veprën penale shpërdorim detyre.
Denoncimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në bazë të një sinjalizimi se, në IEVP Peqin është ushtruar dhunë ndaj një të dënuari, në dt. 04.10.2017 kreu një verifikim nga ku rezultoi se, në dt. 30.09.2017, rreth orës 22.30, në Sektorin e Sigurisë së Lartë të IEVP Peqin, Grupi i gatshëm i Policisë së Burgjeve ka ushtruar kontroll për sende të ndaluara. Gjatë këtij kontrolli, uniformat e policisë së burgjeve janë futur në qelinë nr. 12, të këtij sektori, ku kanë pyetur të dënuarit e pranishëm nëse kishin sende të ndaluara. I dënuari V. G., është përgjigjur se nuk kishin sende të ndaluara.
Pas kësaj përgjigjeje, i dënuari V.G pretendon se punonjësit e Grupit të gatshëm e kanë goditur atë me shkopinj gome në pjesë të ndryshme të trupit si në shpinë, bark dhe shputat e këmbëve. Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KShH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta.