Felipe Massa u përshëndet nga mijëra mbështetës më 12 nëntor, në Çmimin e Madh të Brazilit. Vetë ai u pa të derdhte lot teksa u jepte lamtumirën sportive atyre. Në Abu Dhabi, dy javë më vonë, ai garoi për herë të fundit në Formula 1.
Gjithçka është përmbysur kur Nico Rosberg deklaroi largimin nga bota e Formulës 1 me t’u shpallur kampion. Te Mercedes-i janë gjetur të papërgatitur për vendimin e gjermanit, që lë vendin bosh në një prej makinave garuese të skuadrës.
Finlandezi Valtteri Bottas do të jetë me shumë gjasa zëvendësuesi i Rosberg-ut, çka sjell një problem te Williams-i, që mbetet pa asnjë pilot me përvojë.
Dhe kështu, me sa duket, në ndihmë është thirrur Massa, që do të garojë për Williams-in më së paku për një sezon tjetër.
Megjithatë, lajmërimi zyrtar do të vijë në nisje të vitit tjetër, me t’u njoftuar dhe largimi i Bottas-it për te Mercedes-i.
Massa do të gjejë te Williams-i të riun Lance Stroll, i pari kanadez pas Jacques Villeneuve-it që do të garojë në Formula 1.