Pas arritjes së marrëveshjes mes palëve, ditën e sotme ka ardhur edhe firma zyrtare. Mats Hummels tashmë është zyrtarisht lojtar i Bayern Munchen duke kompletuar rikthimin e tij në shtëpi pas afro 6 vitesh te Borussia Dortmund.
Nën prezencën e Karl Heinz Rummenige, mbrojtësi i kombëtares gjermane hodhi firmën mbi kontratën 5 vjeçare duke mbyllur gjithçka edhe zyrtarisht. Nga sezoni i ardhshëm ai së bashku me Boateng do të formojnë dyshen e mbrojtjes te bavarezët.
“Gëzohem për gjithcka më pret te Bayerni. Jam shumë i emocionuar. Sigurisht largimi nga Dortmund ishte i vështirë për mua. Por jam krenar të bëj pjesë në një nga klubet më të mira në botë. E dua Mynihun dhe që tani kam marrë apartament këtu. Jam i lumtur që do të mund ta shoh më shpesh familjen time”, është shprehur Mats Hummels.