Maturantët të cilët kanë aplikuar për të filluar studimet në Universitet kanë afat edhe dy ditë për të verifikuar degët që kanë zgjedhur por dhe mesataren. Mësohet se të gjithë maturantët të cilët kanë bërë tanimë aplikimin për të ndjekur studimet në shkollat e larta, kanë kohë deri në datën 10 gusht për të verifikuar dhe njëherë degët që kanë përzgjedhur apo si u është përllogaritur mesatarja e notave. Agjencia e Shërbimeve Arsimore ka publikuar tanimë librin e transparencës.
Agjencia e Shërbimeve Arsimore:
“Mund të futën të shikojnë pasi mund të ketë ndodhur ndonjë gabim njerëzor në përllogaritje dhe menjëherë duhet ta ankimojnë pranë drejtorisë së shkollës, e cila më pas i dërgon në drejtorinë përkatëse”.
Pas verifikimit, nëse ankimimi i maturantit është i drejtë atëherë Agjencia e Shërbimeve Arsimore e korrigjon nëse ankesa ndodh brenda datës 10. Më pas nis përpunimi i të dhënave dhe renditja sipas pikëve dhe në datën 28 gusht shpallen fituesit e raundit të parë.