Fillimisht realizoi një ëndërr duke u bërë pilot i skuderisë Red Bull, ndërsa tashmë ka hyrë në historinë e Formulës 1 si fituesi më i ri i një Çmimi të Madh. Bëhet fjalë për holandezin 18 vjeçar, Max Verstappen i cili në debutimin e tij me makinën austriake, ka fituar sot garën e Çmimit të Madh të Spanjës.
Piloti 18-vjeçar korri suksesin e tij të parë në karrierë, duke befasuar të gjithë me paraqitjen e tij në pistë duke lënë pas dy makinat Ferrari, Kimi Raikkonen në vendin e dytë dhe Sebastian Vettel në të tretin. Makina “kokëkuqe” nuk mundi të përfitonte nga shansi i artë që iu dha, kur dy makinat Mercedes u përplasën që në start. Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg niseshin nga vendi i parë dhe i dytë në Çmimin e Madh të Spanjës, por që në xhiron e parë Hamiltoni mori përpara shokun e skuadrës, duke bërë që të dyja makinat Mercedes të mbyllnin garën që në kthesat e para.