INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mazniku: “Krenarë që ishim në kahun e duhur të historisë

Mazniku: “Krenarë që ishim në kahun e duhur të historisë"

Publikuar më: 16:03 16-09-2017

Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Pezës, veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, si dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, morën pjesë në ceremoninë e organizuar në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme që shënon bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë. Në nderim të kësaj dite, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për të gjitha moshat, që nga fëmijët, ata më pak të rriturit, të rinjtë, e deri tek të moshuarit që duan të evokojnë përpjekjet e popullit shqiptar për çlirimin e vendit.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, theksoi se  Konferenca e Pezës është një ngjarje e cila rrezaton edhe 75 vjet më pas mësime dhe momente shumë të rëndësishme për të sotmen e vendit tonë. “Sot përpara veteranëve e familjeve të tyre, përulemi për kontributin e pamasë që keni dhënë për këtë ditë të vendit tonë. Konferenca e Pezës është një histori e cila rrezaton 75 vjet më pas mësime dhe momente shumë të rëndësishme për të sotmen e vendit tonë. Ajo është një histori e cila, së pari është një histori guximi. Ka treguar sot se si atëherë një grup njerëzish vendosën që në një betejë shumë të madhe, ku Peza ishte e vogël në botën e madhe e cila gjendej në një luftë botërore, ata u mblodhën për të vendosur se në cilin kah të historisë do të ishte Shqipëria dhe ky është ndoshta momenti i dytë i rëndësishëm që sot na rrezaton Konferenca e Pezës”, tha Mazniku.

Duke shprehur mirënjohjen për sakrificat e burrave dhe të grave që morën pjesë në Luftën Nacional Çlirimtare, Nënkryetari i Bashkisë vlerësoi se shqiptarët ditën që në momente të rëndësishme të marrin vendimet e duhura për ta radhitur vendin tonë në kahun e duhur të historisë. “Shqiptarët u mblodhën këtu atëherë për të vendosur për të qenë në kahun e duhur të historisë. Dhe sot, ne si shqiptarë, të gjithë mund të jemi krenarë, që kemi vendosur të ishim në kahun e duhur të historisë, si rrjedhojë e vendimit të atyre burrave dhe grave 75 vjet më parë. Ndaj, për këtë jemi mirënjohës sot dhe në kohë të kohërave”, deklaroi ai.

Mazniku nënvizoi se Konferenca e Pezës është një mësim i madh për të gjithë shqiptarët, të cilët kur historia i thërret, kanë ditur të bëhen gjithmonë bashkë për të marrë vendimet e duhura. 

“Kur historia i thërret, shqiptarët kanë ditur të bëhen bashkë, të mblidhen, të diskutojnë dhe të marrin vendimet e duhura për vendin dhe për të ardhmen. Dhe ky është sërish një mësim i madh për të gjithë sot, një moment kyç në hapat tona përpara integrimit europian për të qenë sëbashku dhe për të marrë vendimet e duhura për të ecur përpara. Ndaj, në një ditë si kjo, besoj se secili prej nesh mund të gjejë pak minuta për të menduar për sakrificën e madhe të veteranëve dhe të njerëzve të cilët u mblodhën këtu 75 vjet më parë, dhe për të kuptuar se sa shumë gjëra kemi ne për të mësuar nga historia dhe nga sakrifica e këtyre njerëzve”, theksoi Mazniku. 

Të pranishmit bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe para memorialit të patriotit Myslym Peza, si dhe ndoqën disa nga aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Tiranës. 

Në kuadër të 75-vjetorit të Konferencës së Pezës, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, për të tretin vit radhazi kanë organizuar një sërë aktivitetesh ku do të gjejnë veten të gjitha grupmoshat duke e kthyer në një vendtakimi për të gjithë ata që do duan të kujtojnë këtë ditë historike.

Article Logic
Execution time: 0.0032739639282227