Kreu i "Zgjidhja", Koço Kokëdhima ka shprehur mbështetjen për protestën e nesërme të opozitës në Tiranë, që kërkon zgjedhje të lira e të ndershme.
“Partia ‘Zgjidhja” kërkon që zgjedhjet të shtyhen në tetor me qëllim që të zhvillohet votim dhe numërim elektronik si në të gjitha vendet e botës së qytetëruar”, shkruan Kokëdhima në një status në faqen e tij në Facebook, duke bërë apel që protesta të jetë paqësore.
“Ashtu siç opinioni publik mbështeti protestën masive të opozitës socialiste më 2009 për rinumërimin e votave, po me atë vrull qytetar opinioni publik duhet të mbështesë protestën për organizmin e zgjedhjeve të ndershme sot. Pas më shumë se një çerek shekulli vjedhjesh dhe trafikimi të votave, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë që t’i jepet fund kësaj katrahure kombëtare me zgjedhjet e manipuluara”, shprehet ish deputeti socialist.
“’Zgjidhja’ kërkon që votat t’i numërojë një administratë e paanshme zgjedhore shtetërore dhe jo komisionerët e partive që kanë ushtruar dhe ushtrojnë pushtet. "Zgjidhja" kërkon reformë zgjedhore që të zgjidhë përfundimisht pastrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Asnjë forcë nuk do mundet ta ndalojë edhe për shumë kohë të tjera popullin shqiptar të fitojë zgjedhjet e lira e të ndershme dhe të drejtën e pamohueshme për të qenë zotëruesi i vetëm i sovranitetit të Shqipërisë”, vijon ai.