Gjoba e tre 'shqiponjave’ është grumbulluar, madje kanë qënë të shumtë ata që edhe pas kalimit të shumës së përcaktuar, kanë dashur të kontribuojnë për gjestin e tyre. Paratë për të paguar gjobën e Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit dhe Stephan Lichsteinerit u mblodhën falë fushatës “Crowdfunding” online. Fondet për të paguar gjobat e tre lojtarëve të Zvicrës, të cilët u dënuan nga FIFA mësohet se kapin vlerën e mbi 25 mijë frangave zvicerane.
Xhaka dhe Shaqiri u gjobitën secili me nga dhjetë mijë franga zvicerane, ndërsa Lichtsteiner u gjobit me pesë mijë franga zvicerane.
Tre futbollistët u gjobitën pas gjesteve të tyre të shqiponjës në fitoren 2-1 ndaj Serbisë të premten e kaluar. Organizatorët kanë deklaruar se do të dhurojnë paratë e mbledhura, në rast se Federata Zvicerane nuk pranon që të paguhen dënimet e lojtarëve.