INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mblidhet Shoqata për Autonominë Vendore, nis aksioni kundër vjedhjes së ujit

Mblidhet Shoqata për Autonominë Vendore, nis aksioni kundër vjedhjes së ujit

Publikuar më: 17:36 20-01-2018

Nga e hëna, në gjithë vendin do të nisë një fushatë ndërgjegjësimi për qytetarët mbi pagesën e faturave të prapambetura të ujit të pijshëm, si dhe lidhjen e kontratave të reja. Kurse, nga muaji shkurt, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike.

Në mbledhjen e sotme të Shoqatës për Autonominë Vendore, ku morën pjesë kryetarët e 45 bashkive të vendit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës, tha se do t’i jepet fund situatës së shpërdorimit të ujit të pijshëm në vend, si dhe do të merren masa për rritjen e pagesave, me qëllim realizimin e investimeve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

“Deri në fund të këtij muaji qytetarët do të ftohen vullnetarisht që të lidhin akt-marrëveshjet me Ujësjellësin nëse janë debitorë; të vënë matësit, nëse nuk i kanë pasur më parë; të shlyejnë detyrimet, që të ndalohet vullnetarisht vjedhja dhe shpërdorimi i ujit të pijshëm. Nga e hëna, secili prej nesh do të jetë në terren për një fushatë komunikimi me qytetarët, të cilët na janë përgjigjur në mënyrë të jashtëzakonshme. Por, kjo duhet inkurajuar dhe besoj se është në nderin tonë që dy javët e fundit të janarit, të përfshihemi në një fushatë lokale për të informuar qytetarët”, deklaroi Veliaj.

Brenda janarit, secila prej bashkive do të lidhë një marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila do të ofrojë asistencë për projektet dhe investimet e reja në ujësjellësa. Veliaj vlerësoi nismën e kryeministrit Edi Rama për ndërprerjen e abuzimeve me ujin e pijshëm, ndërsa theksoi nevojën për rritjen e performancës në këtë sektor të rëndësishëm.

“Kryeministri është treguar shumë i drejtë me secilin prej nesh kur ka thënë se një ndër arsyet kyç për vendimmarrjen e rikandidimit të anëtarëve të shoqatës sonë dhe kryetarëve të bashkive do të jetë menaxhimi i ujit. Për të gjithë ne ujësjellësi është ndërmarrja kryesore që kemi. Nëse si bashki mund të kemi karakteristika të ndryshme, një gjë na bashkon: jemi menaxherë të një ndërmarrje dhe aftësitë tona menaxheriale do i tregojmë sa jemi të aftë të menaxhojmë këtë ndërmarrje, që pothuajse e kemi të gjithë njësoj në terma të performancës të asaj që kemi”, tha ai.

Synimi është që për një kohë të shkurtër, 90% e konsumatorëve të pajisen me matësa uji, të cilët bëjnë një faturim të drejtë. “Unë e kuptoj që mund të ketë disa raste sporadike ose disa raste ekstreme, por është e pafalshme që të paktën 90% e konsumatorëve të mos ketë ujëmatës, ndërkohë edhe për ata që mund të kenë ujëmatës të vjetër ose të amortizuar, që iu bën një keqfaturim, është detyrë e ujësjellësave tanë që ta zëvendësojnë, që gjithkush të paguajë aq sa harxhon”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se në përfundim të fushatës së ndërgjegjësimit dhe lidhjeve vullnetare, do të nisë identifikimi i abuzuesve, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Aksioni do të nisë nga bizneset abuzuese. “Në Shqipëri ndodh rëndom që, ai që ka më shumë, ai është edhe më i pabinduri sepse mendon se ka një të drejtë hyjnore meqë është ‘beu’ i zonës. Një mënyrë për të vendosur autoritetin ujësjellësave në vend është që, së pari të goditen këta njerëz dhe një konsumator, i cili mund të ketë 27 vjet pa paguar, por është familjar. Pra, në fillim duhet identifikuar grosisti i madh, i cili o prodhon birrë, o prodhon ujë të pijshëm, dhe konsumon mjaftueshëm ujë të pijshëm me një sahat sikur të ishte familjar”, tha kreu i Bashkisë, duke shtuar se që në fazën e parë rreth 30% e debitorëve do të kenë lidhur marrëveshje të reja për kryerjen e pagesave të prapambetura.

Veliaj shtoi se duke filluar nga data 1 shkurt, bashkitë do të fillojnë verifikimin e pagesave për punonjësit e tyre, të cilët do të nënshkruajnë një deklaratë dhe do të paraqesin edhe librezën e pagesave të ujit. “Çdo staf i 45 bashkive tona, do të duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit që e paguan faturën e ujit dhe duhet të tregojë një kopje të librezës. Ndaj, ju lutem, porosisni drejtorët e burimeve njerëzore në çdo bashki, por edhe në çdo institucion në varësi të bashkisë, që nga data 1 shkurt secili të tregojë faturën e paguar të ujit, siç u bë me energjinë. Kemi filluar ta bëjmë në Bashkinë e  Tiranës, kemi larguar nga detyra ata që nuk paguajnë faturën e ujit”, theksoi ai.

Veliaj tha se me punën e shkëlqyer të kryer këto dy vite është arritur që qytetarët të ndërgjegjësohen për rëndësinë e ruajtjes së pasurisë publike. Sipas tij, shumica e qytetarëve duan shtet dhe një qytet funksional. “99% e qytetarëve do rend, qetësi, pastërti, do që shteti të respektohet, që prona publike të mos dhunohet. Gjithmonë do të ketë mitingashë që duan rrumpallë, por shumica është me të drejtën dhe shumica do një shtet dhe një qytet funksional”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se vetëm nga aksioni i nisur gjatë verës në kryeqytet është arritur ndërprerja e 13.830 rasteve të lidhjeve të paligjshme, ndërkohë që Tirana ka kaluar nga furnizimi me ujë të pijshëm vetëm 7 orë në ditë, në 14 orë/ditë. “Në 2017-n mbyllëm rreth 105 mijë investime vetëm në UKT dhe këtu flas për një rrjet të amortizuar me tuba gize të viteve ’50-60. Ndërkohë, kemi kaluar nga 7 orë ujë furnizim në ditë në 14 orë. Pavarësisht se shumica nuk e ndien se gjithsesi janë depozitat, ata që nuk e kanë një depozitë, është dyfishuar, ndërkohë për disa lagje, për rreth 80 mijë banorë, kemi kaluar në furnizim me ujë 24 orë”, u shpreh Veliaj.

Veliaj solli në vëmendje përvojën e suksesshme të arritur në Bashkinë e Tiranës, ku falë aksionit për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe vendosjen e matësve të rinj, është arritur ulja e humbjeve. “Nga fushata që bëmë nga 11 qershori deri 31 dhjetor 2017, vetëm në Tiranë kemi lidhur 9454 kontrata të reja. 13% të tyre në zona rurale, që kanë qenë totalisht jashtë kontrollit dhe aksesit nga stafi i UKT”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se pikërisht efiçenca e arritur me miradministrimin e ndërmarrjes së UKT-së dhe shëndoshja e financave, ka sjellë edhe afrimin e donatorëve të cilët janë të gatshëm që të mbështesin rritjen e mëtejshme të investimeve në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve në kryeqytet. “Rezultati i parë që pamë në Tiranë është se menjëherë na u afruam donatorë, kur panë që performanca po rritej. Nëse arrijmë që të gjithë bashkë këtë performancë, jam i sigurt që shumë prej donatorëve, duke filluar nga BERZH, KFW, USAID, shumë agjenci të tjera që kanë treguar interes edhe pranë shoqatës, do të na afrohen. Nuk afrohen asnjë prej tyre, në një ujësjellës që i ngjan një kulluese makaronash, që nuk mban dot ujë”, theksoi Veliaj.

Drejtoresha e Shoqatës për Autonominë Vendore, Adelina Farrici, bëri një prezantim mbi arritjet dhe objektivat e 45 bashkive, ku theksoi se këtë vit synohet që pushteti vendor të ketë më shumë përgjegjësi dhe vendimmarrje. Ndër objektivat e shoqatës për autonominë vendore është zhvillimi i fushatave ndërgjegjësuese me komunitetin lokale, kryesisht zonat rurale dhe të izoluara, si dhe prezantimi i një programi për rritjen e transparencës në bashki përmes lehtësimit të përfshirjes së komunitetit në procese demokratike social-kulturore, shkolla dhe për nxitjen e vullnetarizmit në mbrojtje të mjedisit.

Article Logic
Execution time: 0.0042049884796143