Nuk kanë fund surprizat në Kategorinë Superiore. Skuadra me vështirësitë më të mëdha financiare për shkak të dënimit të rëndë nga UEFA, Skënderbeu, e gjen veten në vendet e para të tabelës pas dy javëve të para. Korçarët fituan 2-1 ndaj Laçit në transfertë.
Nëabueze kaloi në avantazh Laçin në minutën e 20-të pas një kundërsulmi të shpejtë. Në fillimin e fraksionit të dytë, Skënderbeu reagon duke gjetur golin e barazimit me një super gol të shënuar nga Dejvi Bregu. Korçarët luajnë mirë dhe në minutën e 66-të shënojnë një tjetër super gol me protagonist, Otto John që godet në hyrje të zonës. Skënderbeu ka pikë të plota pas dy javëve të para, 6.
Partizani ka arritur që të marrë 3 pikët e para në këtë sezon, duke mposhtur Luftëtarin në transfertë minimalisht 0-1. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Bruno Telushi me një goditje me kokë në minutën e 15-të. Të kuqtë krijuan shumë shanse shënimi, por pa mundur që të realizonin dhe golin e sigurisë.
Vllaznia ndërkohë nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në transfertën ndaj Bylis, teksa këta të fundit siguruan pikën e parë në këtë sezon.
Pas fitores 1-0 të marrë në javën e parë ndaj kampionëve në fuqi të Partizanit, skuadra e Kukësit ka marrë një sukses bindës në fushën e Flamurtarit, i mundur me rezultatin e pastër 3-0.
Ka qenë një ndeshje e dominuar nga miqtë nga minuta e parë deri në atë të fundit. Një dominimin që ka prodhuar dy gola të Shkurtaj dhe një dhuratë të Gocajt.
Falë kësaj fitoreje, Kukësi është ngjitur në kuotën e gjashtë pikëve, po aq sa Skënderbeu, po mban vendin e parë në renditje për shkak të një diference më të mirë golash. Flamurtari, nga ana tjetër, ndodhet në vendin e fundit pas dy humbjeve të pësuara në dy javët e para.