Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes Shqipëri-Itali, ndeshje kjo e vlefshme për eleminatoret e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”.
Shqipëria e drejtuar nga Cristian Panuçi, kësaj ndeshje i hyri me objektivin e vetëm të fitores ndaj një super fuqie të futbollit sikurse është Italia, e cila tashmë ka siguruar play-offin për eliminatoret e botërorit, ndërkohë që vendin e parë tashmë në grup e ka siguruar Spanja, e cila do të jetë pjesë e botërorit.
Kërcënimin e parë në portën e Italisë e jep Elseid Hysaj, i cili godet fuqishëm nga rreth 30 metra, por goditja ishte qendrore. Pret Buffon pa probleme.
Më pas Italia zhvendoset me pasime të shumta në zonën tonë. Spinazzola tentoi të fusë një top në zonë nga e majta e sulmit të Italisë, por Veseli largon rrezikun. Buffon sërish në vështirësi.
9 minuta lojë dhe godasim sërish në drejtim të portës së Italisë. Këtë herë ishte Eros Grezda me një goditje nga distanca, por reagoi Buffon, duke mos lejuar që ta ndëshkonim Italinë
Kalojnë 15 minutat e para të ndeshjes dhe Kombëtarja kuqezi është duke zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, duke pasur nën kontroll lojën, ndërsa ka goditur edhe dy herë portën e Italisë. Ndërkohë “të kaltrit” ende nuk janë shfaqur rrezikshëm në portën e Berishës. Italia fiton goditjen e parë nga këndi, por largojnë mbrojtësit tanë pas krosimit nga këndi të Candrevas.
Immobile rrezikon i pari portën e Berishës, por gardiani kuqezi pozicionohet saktë, Deri në minutën e 20′, s’pati asnjë rrezik serioz për portierin që luan në Serie A.
Në minutën e ’32 Odise Roshi pati mundësi të mira për të goditur drejt portës me kokë, por nuk ishte i saktë.
Në minutën e ’40 italianët pretendojnë për një 11-metërsh. Veseli e prek topin me dorë në zonën tonë pas krosimit të Eder, por arbitri e vlerëson si të pavullnetshme.