Dronët duket se po kthehen në një makth për Serbinë. Një ditë para ndeshjes Skënderbeu-Partizani i Beogradit, policia serbe ka ndaluar 3 qytetarë shqiptarë në Preshevë. Ata po udhëtonin për në Beograd, siç duket për të ndjekur ndeshjen në stadium. Lajmi është bërë i ditur nga mediat serbe, të cilat shkruajnë se pas kontrollimit në makinën e tyre, policia ka gjetur një dron. Duke marrë parasysh ndeshjen që do të zhvillohet në Beograd, autoritetet nuk i kanë lejuar shqiptarët të vazhdojnë udhëtimin drejt kryeqytetit të Serbisë. Kjo masë vjen pas ngjarjes së 14 tetorit të regjistruar 3 vjet më parë, kur Ballist Morina nisi një dron në stadiumin Partizani gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.