INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Më shumë se 350 mijë armë ilegale në duart e kosovarëve

Më shumë se 350 mijë armë ilegale në duart e kosovarëve

Publikuar më: 17:27 03-01-2018

Në Kosovë gjatë vitit 2017, janë konfiskuar rreth 1500 armë ilegale dhe një numër i madh municionesh. Por, një raport ndërkombëtarë përllogarit se 350 mijë armë të vogla e të lehta, mbahen nga qytetarët në mënyrë ilegale. Numri i madh i këtyre armëve paraqet rrezik për sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe në veçanti për vetë qytetarët. Kështu thonë njohës të çështjes së sigurisë, sipas të cilëve armët ilegale janë një prej problemeve kryesore që e ka aspekti i sigurisë publike në Kosovë. Eksperti për çështje të sigurisë nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se posaçërisht përdorimi i armëve nga të miturit mbetet mjaft shqetësuese për sigurinë në vend. “Nga raporti i UNDP-së llogaritet që janë 350 mijë armë të vogla dhe të lehta në formë ilegale në duart e qytetarëve. Policia disa herë ka shkatërruar një numër të tyre , prezenca mbetet jashtëzakonisht e madhe”. “Janë dy mënyra të ndryshme për ta larguar këtë dukuri negative. E para është rritja e vetëdijesimit sidomos tek prindërit, që të mësojnë fëmijët e tyre për pasojat e armëve ilegale, si dhe të ndërtohet një program nacional kombëtar për të shkëmbyer armët ilegale me elemente tjera, që mund t’i hyjnë në punë familjeve”, tha Ramadani. Autoritetet e rendit ndërkaq kanë theksuar faktin se janë lançuar në vazhdimësi fushata për rrezikun që paraqesin armët ilegale dhe posedimi apo përdorimi i kundërligjshëm i tyre. Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, tha se mesatarisht çdo vit nga Policia, përmes operacioneve aktive policore, konfiskohen rreth 1200 deri 1500 armë të llojeve të ndryshme. “Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime konkrete në funksion të krijimit të një sigurie më të madhe për qytetarët, duke konfiskuar edhe një sasi të konsiderueshme të armëve, mjeteve të pashpërthyera dhe municioneve të ndryshme gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës”, tha Hoxha. “Inkurajojmë të gjithë ata që kanë informacione relevante të cilat mund të çojnë në identifikimin apo gjetjen e armëve, municioneve apo mjeteve tjera të rrezikshme, që cenojnë sigurinë e qytetarëve, të njoftojnë Policinë, të bashkëpunojnë me organet kompetente, dhe veprime të nevojshme do të ndërmerren sipas ligjeve në fuqi”, tha Hoxha. Posedimi i armëve në Republikën e Kosovës rregullohet me ligj, prandaj edhe bartja apo posedimi i tyre në mënyrë të kundërligjshme është e sanksionuar me ligj.

Article Logic
Execution time: 0.0037510395050049