INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Më thuaj çfarë shenje HOROSKOPI je, të të them cili është stili yt i veshjes!

Më thuaj çfarë shenje HOROSKOPI je, të të them cili është stili yt i veshjes!

Publikuar më: 20:26 06-06-2019

Dashi

Kur është fjala për veshjen tuaj, ju jeni e para që ndiqni tendencat më të çmendura të pasarelave, sepse e dini që moda nuk është thjesht një argëtim, por pjesë e pandarë e stilit të jetësës, duke ju ndihmuar të identifikoheni tek të tjerët. E gjithë kjo përkthehet në një stil i cili reflekton hapur personalitetin tuaj. Veshja e preferuar për të lindurit e kësaj shenje është ‘casual’. Në zgjedhjen e ngjyrave eksploroni shumë, sepse jeni krenarë. Pjesë e gardërobës tuaj janë çorapet rrjetë që janë edhe më të preferuarat, veshjet prej lëkure, të cilat tregojnë qartazi vendosmërinë, pa harruar xhaketat e xhinsit që respektojnë modestinë si dhe gëzofët si një shenjë e qartë e luksit dhe elegancës.

Demi

Asnjëherë nuk rrezikoni me pamjen tuaj, ndaj edhe nuk e shihni si një aventurë hedhjen e një hapi që ka lidhje me stilin e veshjes. Ju jeni nga ato shenja që jeni gati të prisni mesin e sezonit për t’u bindur se mund të provoni tendencat më të reja. E kur arrini në këtë pikë, shumë nuk është kurrë e mjaftueshme. Jeni e apasionuar pas stilit të rafinuar duke theksuar një siluetë që thekson format. Demi nuk i do veshjet dhe ngjyrat që bien shumë në sy. Nuk i përçmon këshillat gjatë blerjeve, madje i respekton ato. Ngjyrat e errëta janë kredoja që i udhëheq, ndërsa xhinset komode janë gjithnjë prezente në çdo stinë. Ndikohet fort nga ngjyrat e tokës dhe duke shmangur stampimet dhe printimet.

Binjakët

Ju nuk mund ta imagjinoni pamjen tuaj pa eksperimentimet, edhe pse ato mund të duken të pazakonta për ata që rrethojnë, por fakti që i pranoni ndryshimet e shpeshta, tregon se kjo lidhet edhe me luhatjen e humorit. Ndaj ju nuk ngurroni të përzieni dhe përshtatni tendencat shumë me zell duke i shijuar plotësisht. Përzieni printimet me ngjyrat e forta, duke e kthyer në një zbavitje kohën që i dedikoni stilit tuaj. Në paraqitjen tuaj nuk mungojnë kurrë bizhuteritë, detaje të cilat shërbejnë për të tërhequr gjithmonë vëmendjen. Zgjedhjet tuaja luhaten nga fundet e shkurtra e të puthitura pas trupit, deri tek veshjet bon ton, nga balerinat e rehatshme deri tek këpucët me taka tejet të larta.

Gaforrja

Një Gaforre e di gjithmonë se çfarë pëlqen dhe çfarë i rri përshtat, por kjo nuk do të thotë se graviteti i saj nuk tronditet nga sugjerimet më të fundit të stilistëve. Kur ju jeni para gardërobës tuaj, gjithnjë do të gjeni aty veshje si pantallonat dhe atletet që tregojnë stilin sportiv, por nga ana tjetër ju dini sesi të shfaqni një pamje chic dhe glamour. Femrat Gaforre janë plot pasion, ndaj edhe në stilin e tyre nuk mungojnë asnjëherë detaje të stilit romantik, si fustanet me lule, stampimet e theksuara, motivet bohemiane dhe plot fantazi, për të treguar se bota e tyre është vërtet emocionale. I dashuroni veshjet e qepura enkas për ju, ndaj edhe preferoni t’i besoni stilin një rrobaqepësi.

Luani

Hey ajo është një luaneshë? Këtë shprehje besoj e keni dëgjuar shpesh kur kaloni në rrugë apo kur jeni pjesë e ndonjë eventi, sepse ju keni një stil i cili reflekton hapur krenarinë. Arma juaj më fortë është zgjedhja e veshjeve me detaje që bie në sy, nga copat unike, deri tek aksesorët e theksuar. Në thelb keni një stil klasik, por siguroheni që gjithnjë të keni një pamje të guximshme, për t’u treguar të tjerëve se kush jeni. Fakti që ju doni të tregoni superioritetin, pëlqeni tej mase veshjet me printime kafshësh, prerjet e ngushta që nxjerrin në pah linjat trupore, detajet seksi si këmbët përmes apo një dekolte që trullos këdo që ju sheh, shoqëruar edhe me një grim që thekson tiparet.

Virgjëresha

Besoni se një Virgjëreshë është e ndrojtur? Jo e keni gabim, sepse ato duan të tregojnë personalitetin e tyre gjithmonë duke ndjekur një rregull: i besojnë verbërisht klasikes. Mbështeten në kombinimin klasik të të zezës me të bardhën, tonalitetet e tokës, e deri tek veshjet me vija, të cilat theksojnë autoritetin e tyre. Edhe kur duan të zgjedhin diçka nga tendencat e fundit, kërkojnë modele që mund t’i përshtaten. Në raste festash, ajo zgjedh gjithmonë veshje që shkëlqejnë: fustane të gjatë, këpucë me takë dhe xhaketa të shkurtra, për të treguar se janë aty. Një element që i bën gjithnjë unike, është dashuria pa kushte për aksesorët e stilit vintage, të cilat i përshtat shumë mirë me çdo veshje.

Peshorja

Kjo shenjë e zodiakut është e kujdesshme ndaj çdo detaji. Admiron luksin dhe do të vishet vetëm me rroba të modës së lartë. Bizhuteritë e kushtueshme për peshoren, janë detaje që bëjnë ndryshimin e të lindurve të kësaj shenje nga të tjerët. Roza, bluja dhe e bardha, janë një dashuri e dukshme. Ato kënaqen nga copat dhe pëlhura luksoze si: mëndafshi dhe kashmiri, sepse duan të ruajnë me shumë fanatizëm paraqitjen e tyre, pavarërisht se bëhet fjalë për stilin e përditshëm ose jo. Kanë një sens të fortë artistik përsa i takon zgjedhjeve, ndaj janë të aftë t’i besojnë intuitës së tyre edhe kur kur bëhet fjale për kombinime si fund datellë dhe xhaketa rrok, zgjedhje aspak të rastësishme.

Akrepi

Akrepi misterioz do të joshë gjithmonë. Për gratë dhe vajzat e kësaj shenje, dantella dhe veshjet seksi janë ‘klasikët’ që nuk mund të mungojnë absolutisht në garderobë. Për to, veshjet gjysmë transparente duken një lojë zbavitëse për të fituar ‘pretë’ e tyre. Femrat akrep kanë një karakter kokëfortë, janë instiktive dhe pëlqejnë stilin modern të të veshurit. Ato frymëzohen shpesh nga tendencat më të fundit të sezonit, respektojnë sugjerimet e blogereve për të pasur një pamje sa më të sofistikuar e cila tërheq këdo që me shikimin e parë. Nëse shihni një femër me fustane asimetrike, funde të shkurtra dhe dekolte provokuese, besojeni se ato janë akrepa që duan vëmendje me çdo kusht.

Shigjetari

Kjo shenjë është gjithnjë në kërkim të aventurave të reja dhe një paraqitje të ndryshme. Nuk i intereson nëse rrobat janë firmë ose jo, kjo shenjë di të vlerësojë çdo veshje në mënyrën e duhur. Komoditeti është absolutisht qëllimi kryesor që ato duan kur bëjnë një zgjedhje kur dalin për të blerë. Ata mbështeten tek ngjyrat delikate, preferojnë prerje të buta. Nga ana tjetër ato janë edhe shumë ëndërrimtare, pëlqejnë udhëtimet dhe frymëzohen nga veshjet dhe stili i vendeve ku shkelin, e kjo është e dukshme në stilin boho-chic, ku bien në sy qëndismat. Po kaq të rëndësishme janë bizhuteritë, nga ato me thurje deri tek ato masive, monedha, gjerdanët, gdhendjet apo punimet e dorës.

Bricjapi

Të lindurit nën shenjën e Bricjapit e dashurojnë modën dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë veshje shumë të veçanta. Për ta, të qënit elegantë është gjithçka dhe rrallë gabojnë në blerjet që bëjnë. Për të lindurit e kësaj shenje, tendenca është të vishen me të errëta dhe ngjyrat pastel. Eleganca është pika juaj e fortë: një pallto leshi me një jakë pellushi ose prej gëzofi e stilit vintage, pantallona lëkure ose një xhaketë skoceze, që do ju sjellë në mendje vitet ’70, janë gjithçka do të dëshironit. Gjatë dimrit ngjyrat si: blu kobalt, jeshilja smerald, e verdha dhe çiklamina, mund të duken të pazakonta për këdo, por jo për ju, sepse vetëm një karakter i fortë dhe ironik si Bricjapi di ta hedhë këtë hap.

Ujori

Një shenjë që e adhuron eksperimentimin dhe dizenjot e çuditshme, për të pasqyruar lartësinë e tyre. Ata dinë të zgjedhin gjithmonë ngjyra që provojnë aspektin e tyre provokues: blu elektrike ose e kuqe e fortë. Dashuroni stilin rrok, ndaj edhe nuk mund të dilni kurrë nga shtëpia pa ndonjë çantë apo rrip, veshje të dekoruara me thumba e perçina, elemente që janë për ju identifikuese. Ujori është një shenjë e cila karakterizohet nga një ndjenjë e fortë lirie dhe krijimtarie, ndaj edhe ka aftësi që të përshtatë çdo gjë që i bie në dorë. Mund ta shihni me një fund të shkurtër, por edhe një super të gjatë, stil romantik, por edhe veshje futuristike, detaje vintage dhe motive retro.

Peshqit

Peshqit janë të njohur për natyrën e tyre ëndërrimtare, ndaj edhe duan të shfaqin gjithmonë personaliten e tyre romantik në veshje që reflektojnë silueta femërore,ku bie në sy copat e ndezura. Ngjyrat që i përshtaten Peshqve janë: livando, rozë, blu dhe e kaltër. Kjo natyrë romantike i bën ato të kthejnë kokën pas për të zbuluar nga moda e viteve të shkuara dizenjo unike. Frymëzohen tej mase edhe nga stili i viteve ’60-të, nga ai hippie e deri tek krijimet e modës së lartë, të cilat përpiqen t’i përshtatin duke i besuar gjithçka rrobaqepësit. Nuk doni të bini asnjëherë në monotoni, ndaj keni aftësi të kombinoni edhe stilin sportiv me atë ‘casual’, gjithnjë të kuruar nga aksesorë feminilë.

Article Logic
Execution time: 0.0040650367736816