Prezantuesi i famshëm italian, Fabrizio Frizzi ka ndërruar jetë. Lajmin e ka bërë publik bashkëshortja e tij me një dedikim në të cilin shprehet: “Faleminderit Fabrizio për gjithë dashurinë që na dhurove”.
Frizzi 60-vjeç ka ndërruar jetë në mbrëmje në spitalin e S’ant Andrea në Romë si pasojë e një hemoragjie cerebrale.
Në 23 tetor të vitit të kaluar Fabrizio u godit sëmundja e quajtur ishemi gjatë xhirimit të një puntate të emisionit që prezantonte me titull “Eredita”.
Televizioni Rai ku Fabrizio prezantoi për vite me rradhë i ka dedikuar disa fjalë humbjes së njërit prej moderatorëve më të mirë italian.
“Me Fabrizion ikën një pjesë e jona, e të përditshmes dhe historisë së televizionit tonë. Nuk po largohet vetëm një njeri i suksesshëm i ekranit, me Fabrizion po largohet edhe një mik i mrekullueshëm, një njeri që na mësoi se çfarë do të thotë ti duash kolegët dhe ta duash punën për të qenë një skuadër, gjithmonë i kujdesshëm dhe i respektueshëm në sytë e publikut. Po largohet njeriu i buzëqeshjeve dhe i përqafimeve për të gjithë” thuhet në deklaratën e Televizionit Rai për ndarjen nga jeta të Fabrizio Frizzi.