INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mediat në Kosovë akuzojnë krerët e shtetit: Ata shkelin ligjin sërish, e lënë vendin pa udhëheqës

Mediat në Kosovë akuzojnë krerët e shtetit: Ata shkelin ligjin sërish, e lënë vendin pa udhëheqës

Publikuar më: 21:32 06-02-2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, sot kanë bërë shkelje të rëndë të Ligjit mbi Protokollin e Shtetit. Të tre drejtuesit e vendit kanë udhëtuar për shtete të ndryshime të botës. E, Ligji për protokollin e shtetit parasheh që krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

Të tre udhëheqësit më të lartë të vendit e kanë braktisur shtetin pa u konsultuar fare dhe pa u koordinuar paraprakisht, siç e parasheh ligji mbi Protokollin e Shtetit.

Ligjin për protokollin e shtetit parasheh që krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

Por, pikërisht sot  Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kanë udhëtuar për në SHBA ku do të marrin pjesë  në “Lutjet e Mëngjesit”.

Jashtë vendit po sot ka dalë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai është nisur për Kroaci, ku sipas njoftimit të zyrës për media të Kuvendit, thuhet se gjatë kësaj vizite, Veseli do të takojë homologun e tij kroat, kryeparlamentarin Gordan Jandrokoviq.

Dalja e tre zyrtarëve të lartë të shtetit është kundër Ligjit të Protokollit të Shtetit, pasi praktikisht vendi mbetet pa asnjërin prej zyrtarëve të lartë.

“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit, Gazeta Expres.  Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në Ligjin për Protokollin e Shtetit.

Kjo është e sanksionuar në Ligjin Nr. 03/L-132 për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit.

Kjo do të thotë se në rast të ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në Kosovë, askush nuk do të jetë në gjendje të japë ndonjë urdhër, pasi kështu parashikohet me ligj.

E kjo nuk është hera e parë që Presidenti, kryeministri e Kryetari i Kuvendit, shkelin këtë ligj.

Kështu kanë vepruar edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, vitin e kaluar. Në atë meshë ishin të pranishëm që të tre, duke e lënë vendin në mëshirën e askujt.

Article Logic
Execution time: 0.0035860538482666