INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Memushaj: Meritonim më shumë, e mposhtim Rumaninë

Memushaj: Meritonim më shumë, e mposhtim Rumaninë

Publikuar më: 19:46 16-06-2016

Ledian Memushaj ndoshta ishte lojtari më i pafat në ndeshjen ndaj Francës, pasi goditja e tij që përfundoi në shtyllë mund të ndryshonte rrjedhën e lojës. Pas ndeshjes së djeshme, ai u shpreh se i kushton më shumë rëndësi pikëve se lojës. Gjithashtu Memushaj beson se Shqipëria meritonte më tepër nga sfidat me Zvicrën dhe Francën, si dhe i bën thirrje shokëve të skuadrës që të përqendrohen te dueli i fundit në grup me Rumaninë.

 “Normalisht që jemi të mërzitur. por tani duhet ta harrojmë edhe të mendojmë për ndeshjen me Rumaninë, pasi nuk kemi shumë kohë. Zhvilluam një ndeshje të mirë, por ai goli i pësuar në minutën e 90-të na preu këmbët. Besoj që një pikë duhet të kishim marrë. Me këto dy ndeshje meritonim më tepër nga sa kemi arritur. Meritonim një pikë me Zvicrën dhe një ndaj Francës. Por, të gjithsa këto duhet ti hedhim pas shpine”.

Memushaj e ka të qartë se kualifikimi i mundshëm kalon nga Rumania dhe sfida e së dielës duhet fituar patjetër.

“Nuk e kemi bërë ende analizën për ndeshjen me Francën. Ajo ndeshje duhet harruar. Kemi tre ditë për të përgatitur ndeshjen me Rumaninë që duhet ta fitojmë me patjetër. Kemi një ndeshje shumë të vështirë me Rumaninë. ata kanë vetëm një rezultat sepse duan të fitojnë, ashtu si edhe ne. Pres një ndeshje të bukur me hapësira”.

Për Memushajn, e rëndësishme është që skuadra të rikuperojë forcat përpara sfidës me Rumaninë.

“Tani mendoj vetëm të rikuperoj sa më mirë, sepse dje jemi lodhur shumë. Skuadra vrapoi shumë me Francën. Duhet të pushojmë edhe më pas të shohim se cili do të jetë më mirë fizikisht. Këto i vendos trajneri. Edhe Rumania ka luajtur dy ndeshje të vështira dhe fizikisht ka shpenzuar shumë, ashtu si ne kundër Zvicrës dhe Francës”.

Article Logic
Execution time: 0.0035390853881836