INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mensat sociale të Bashkisë së Tiranës shtrojnë drekë për festën e Kurban Bajramit

Mensat sociale të Bashkisë së Tiranës shtrojnë drekë për festën e Kurban Bajramit

Publikuar më: 13:35 21-08-2018

Bashkia e Tiranës, ashtu siç e ka bërë traditë tashmë prej tre vitesh, edhe për ditën e shenjtë të Kurban Bajramit, shtroi sot një drekë festive në të gjitha qendrat e saj sociale për disa dhjetëra familje në nevojë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, zgjodhi që ta uronte këtë festë, duke shërbyer drekën në mensën e re sociale të hapur në Njësinë nr. 4, pranë shkollës “Ardian Klosi”. Kryebashkiaku Veliaj pasi uroi të pranishmit për festën, falënderoi të gjithë ata që këtë ditë feste për gjithë besimtarët myslimanë kanë vendosur që ta kalojnë me ata që janë në nevojë.

“Nuk mund të ketë vetëm Bashkia monopol bamirësinë. Duhet ta ketë çdo institucion tjetër dhe më vjen mirë që Xhamitë e Tiranës na janë bërë krah dhe siç kemi një mensë sociale këtu, kemi një tjetër në Laprakë, një në Kombinat, një në Shkozë, një tek Ura e Tabakëve, një tek Xhamia e Xhurës dhe më vjen mirë që kjo punë po ndahet me gjithë këta vëllezër e motra, sipas kontributit. Unë do të doja t’i ftoja sot të gjithë shqiptarët, jo vetëm ne që jemi mbledhur këtu, ta ndajnë drekën e tyre në tresh; një pjesë për familjen, një pjesë për miqtë që kanë këtu dhe një pjesë tjetër për ata që janë në nevojë. Nëse çdo gjë e ndajmë në tresh, për familjen, miqtë dhe për një nevojtar, atëherë në këtë qytet do ketë më shumë solidaritet”, tha Veliaj.

Ndaj, ai nënvizoi se në ditë të tilla çdokush që ka mundësi duhet të tregojë solidaritet me më të dobëtit. “Me dhënë mend është kollaj, me bë hartime kundër varfërisë është kollaj. Hajde shërbeni një vakt, bëj një bamirësi në lagjen tënde, në pallatin tënd, në shkallën tënde, te rrugica jote, se siç e di ti kush është fqinji që ka nevojë nuk mund ta dijë kurrë as shteti, as imami, as kryetari i bashkisë e askush tjetër. Ne vetëm dje kemi shpërndarë 2 mijë paketa mish në shumë nevojtarë, sidomos ata që janë në zonat e thella periferike aty ku ndoshta vuajtja ndihet edhe më shumë sesa këtu afër qendrës së Tiranës dhe për këtë u jam shumë mirënjohës. Secili sipas mundësive, secili sipas asaj që Zoti ka dhënë dhe secili sipas ndjenjës së vet të qytetarisë”, u shpreh kryetari i bashkisë.

Kryebashkiaku shtoi se që të jesh një qytetar i mirë duhet të kujdesesh edhe për të tjerët edhe për atë që nuk është vetëm e jotja. “Ne në Tiranë nuk na bën kryeqytetarë fakti si dukemi ose gjuha që flasim, na bën kryeqytetarë sjellja. Kur sillemi në si kryeqytetarë do të thotë që shohim përtej bahçes tonë, shohim edhe për nevojat e tjetrit, shohim edhe për dikë që është në ditën e vet të vuajtjes, edhe për dikë që është në ditën e vet të nevojës. Kjo na bën kryeqytetarë. Kur sillemi si kryeqytetarë jemi të denjë për të qenë pjesëmarrës të kësaj bashkësie që me shumë dashuri i themi Tirana jonë. Unë dua që ta ngre një dolli për ju, për familjet tuaja, t’u uroj shëndet, t’u uroj mbarësi. Zoti u dhëntë të gjithë forcën, të gjithë energjinë dhe të gjithë kurajën për të ecur përpara. Unë e di që secili prej nesh në momente të ndryshme të jetës së vet kalon vështirësi dhe secili prej nesh vjen nga vuajtje nga më të ndryshmet. Pyetja është, do lëmë që vuajtjet dhe vështirësitë të na ulin kokën apo të na japin kurajë për të ecur përpara, për të provuar, për të provuar deri sa t’ia dalim”, deklaroi Veliaj.

Ndërsa Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra falënderoi Bashkinë e Tiranës për atë që bën për shtresat në nevojë. “Ndihem shumë i nderuar sot që ndajmë një dreke të veçantë të Bajramit por më shumë se ajo një qenie të mrekullueshme kur kryetari Veliaj nuk ka kursyer asgjë për të qenë në shërbimin tuaj. Më erdhi shumë mirë që në rastin më të parë, direkt pas pritjes së Bajramit, të isha në këtë drekë të mrekullueshme solidare që ne përpiqemi hera – herës, në mënyrë modeste bashkë me kryetarin e nderuar që të jemi me ju, pranë jush për të ndarë dreka të tilla, jo vetëm në festat e Bajramit dhe në festa të tjera të vëllezërve të krishterë por në çdo moment kur është mundësia dhe sigurisht që kemi qenë të gatshëm dhe përherë do të jemi të gatshëm që të shërbejmë dhe të jemi solidarë, në fund të fundit kemi të bëjmë edhe me fetarë por më shumë se kaq edhe qytetarë edhe njerëzorë”, tha Ylli Gurra.

Më herët kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman, ku i përcolli urimet e përzemërta kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj dhe nëpërmjet medias gjithë besimtarëve myslimanë.

Article Logic
Execution time: 0.00357985496521