E ardhmja e Mattia De Sciglio te Milan duket gjithnjë e më larg. Sipas mediave italiane mbrojtësi u konfirmoi dje drejtuesve të klubit synimin e tij për të lënë kuqezinjtë në fund të sezonit.
24-vjeçari u ofendua dhe u ngacmua nga mbështetësit kuqezinj pas humbjes në shtëpi kundër Empoli-t. Kontrata e De Sciglio skadon në verën e vitit 2018 dhe sipas gjasave ai do të shitet këtë verë.
Juventus prej disa kohësh ka shfaqur interes për të firmosur me 24-vjeçarin e talentuar. Allegri i njeh mjaft mirë cilësitë e tij pasi ka punuar me të te Milan për tre sezon. Deri më tani në këtë sezon të Serie A mbrojtësi i krahut të majtë që mund të luaj edhe në të djathtë ka grumbulluar 23 ndeshje prej të cilave 21 si titullar.