Gjatë ditës së sotme tifozët e Milanit kanë protestuar për mënyrën se si po menaxhohet shitja e klubit ku firma po shtyhet javë pas jave duke mbajtur të bllokuar merkaton e kuqezinjve.
“Kush janë këta kinezët?”, “Mjaft u tallët”, “Galliani, Milano të urren”, “Respektoni tifozët tuaj”, “Kërkojmë sqarime për të ardhmen”, “Galliani je shkatërrimi i Milan”. Këto kanë qenë disa nga shkrimet që përmbanin pankartat e tifozëve.
Rreth 200 tifozë janë grumbulluar jashtë rezidencës së Silvio Berlusconi-t, duke kërkuar një sqarim, ndërsa ai i ka mirëpritur disa prej tyre ku ka zhvilluar brenda shtëpisë një takim i cili ka zgjatur 30 minuta.
Gjatë këtij ballafaqimi, presidenti duket se i ka konfirmuar atyre qëllimin për të shitur klubin, por ka theksuar edhe se mbyllja me sukses e këtij operacioni varet nga qëllimet që ka grupi kinez, i kryesuar nga Sonny Wu.