INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Merkel e brengosur nga debati për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Merkel e brengosur nga debati për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Publikuar më: 15:05 02-11-2018

Kancelarja gjermane, Angela Merkel po ndjek me shqetësim debatin për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.  Merkel i është përgjigjur kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa  i cili përmes një letre i bën të ditur kancelares qëndrimin e tij lidhur me dialogun. “Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju, po e përcjell me brengosje të madhe”-shkruan ajo. Për kancelaren Merkel, është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve.  Kancelarja Merkel ka kundërshtuar më herët idenë e shkëmbimit të territoreve midis dy vendeve duke u shprehur se një zgjidhje e tillë mund të krijojë precedent në Ballkan.  Fillimisht kancelarja  bëri qëndrimin e saj publik gjatë takimit që zhvilloi në fillim të gushtit me kryeministrin e Bosnjës. Ajo tha se nuk është e mundur të ketë  ndryshim të kufijve në Ballkan. Në gusht, liderët politikë në Kosovë dhe Serbi propozuan të zgjidhnin tensionet mes vendeve duke shkëmbyer territorin: komunat me popullsi serbe në veri të Kosovës do të vinin nën administrimin e Beogradit, ndërsa qytetet me popullsi shqiptare në jug të Serbisë do të shkonin në Prishtinë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përfaqëson Kosovën në dialogun me Serbinë mbështet idenë për korrigjimin e kufirit, por ky propozim solli reagime të ashpra. Madje edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u përplas publikisht me presidentin Thaçi për shkëmbimin e territoreve. Ndërkohë një rezolutë e cila do ti jepte mundësinë drejtuesve të Kosovës që të vazhdonin dialogun me Serbinë nuk arriti të merrte miratimin e deputetëve në seancën e jashtëzakonshme parlamentare.

Article Logic
Execution time: 0.0037400722503662